Është shtyrë marrja e vendimit për Mario Përlleshajn, i akuzuar për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçes, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor 2024.
Shtyrja e procesit është bërë për shkak se gjykata ka urdhëruar kryerjen e një ekspertimi psikologjik për Mario Përlleshajn, si dhe për Luis Meçen, i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Përlleshajn me 16 vite burg. Ai u shpall fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si dhe për vrasje në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë ndaj Luis Meçes.
Sipas vendimit të shkallës së parë, Mario Përlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe me 10 vite burg për tentativën e vrasjes së Luis Meçes. Në zbatim të bashkimit të dënimeve, ai u dënua përfundimisht me 16 vite heqje lirie.
Ndërkohë, procesi gjyqësor do të vijojë pas përfundimit të ekspertimit psikologjik, i cili pritet të shërbejë për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave dhe elementeve që lidhen me çështjen.

