36 ditë sheshet plot për dorëheqjen e Ramës, Ditmir Bushati: Protestohet kundër arrogances dhe aleancës politikë-krim. Ndryshimi i pashmangshëm

Publikuar me datë:

Nga Ditmir Bushati

E ARDHMJA ËSHTË KËTU

Kudo ku kam udhëtuar gjatë këtyre javëve për arsye pune, në takime apo telefonata me miq anembanë botës, jam ndier krenarë për fjalët e mira që kam dëgjuar për Shqipërinë. Pasqyrimi i protestave disa javore nga mediat prestigjioze ndërkombëtare e ka paraqitur vendin tonë si një shoqëri me ndërgjegje qytetare dhe në solidaritet.

Nuk ka imazh më të mirë sesa ai që krijohet pa para, por me shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë për vendin e vet.

Protestat në Shqipëri pasqyrojnë shqetësime të thella që kërkojnë reflektim serioz dhe veprime kuptimplota për modelin demokratik dhe zhvillimor të vendit.

Së pari, shumica e protestuesve janë fëmijë të tranzicionit që nisi në vitin 1990 dhe nuk po gjen fund. Ata nuk janë rritur me frikën e komunizmit dhe as me paranojën e armikut të jashtëm. Prandaj, përdorimi i retorikës përçarëse prodhon efektin e kundërt. Në rajonin tonë, të vetmet vende që ende nuk e kanë kapërcyer brezin e udhëheqësve simbol të tranzicionit janë Shqipëria dhe Serbia, ndonëse për arsye krejt të ndryshme. Ndryshe nga serbët, shqiptarët e kanë të qartë se vendi i tyre i përket familjes europiane.

Për fëmijët e tranzicionit, modeli i një jete normale nuk është Shqipëria e komunizmit. As ajo e kioskave dhe firmave poramidale. Dhe as ajo e betonit, që krijon marrëdhënie ndërvarësie midis pushtetit politik, fitimit dhe imagjinatës arkitektonike, por nuk prodhon mirëqënie shoqërore. Përkundrazi. Është Shqipëria e mundësive të barabarta dhe e zvogëlimit të hendekut të padurueshëm mes pritshmërive dhe realitetit. Është Shqipëria ku demokracia nuk negociohet dhe nuk tjetërsohet.

Së dyti, gjatë këtyre javëve Shqipëria po përjeton një çlirim kolektiv emocional që nuk ndërmjetësohet nga partitë, udhëheqësit apo institucionet. Njerëzit nuk po protestojnë vetëm kundër arrogancës, personalizimit të tejskajshëm të pushtetit dhe aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, krimit të organizuar dhe medias. Ata po përjetojnë ndjesinë e solidaritetit, dinjitetit dhe vetëdijen për interesin publik.

Një nga produktet më të rëndësishme të kësaj proteste, sado e larmishme të jetë ajo, është katarsisi shoqëror. Bashkë me të po krijohet edhe një bazë e re për një ushtrim më të besueshëm demokratik, që mund ta shndërrojë energjinë e shesheve në realitet politik.

Së treti, Shqipëria nuk ka pasur kurrë kaq simpati ndërkombëtare. Gjatë luftës në Kosovë, vëmendja ndaj vendit tonë lidhej kryesisht me bujarinë e shqiptarëve në strehimin e motrave dhe vëllezërve nga Kosova. Sot kjo vëmendje është për diçka krejt tjetër: për faktin se qytetarët po kërkojnë të shkëputen nga një model politik dhe ekonomik që ka asfiksuar konkurrencën dhe meritokracinë. Një model që është ndërtuar në kurriz të brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm: të parëve duke ua ngrënë kontributin, të dytëve duke ua rrënuar trashëgiminë.

Së katërti, pasqyrimi i përditshëm i protestave në Shqipëri nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare, duke u përqendruar te shkaqet reale të zemërimit qytetar dhe te mobilizimi i diasporës sonë si kurrë më parë, është investimi më i mirë për imazhin tonë si popull dhe për rrugën tonë drejt Bashkimit Europian.

Rruga jonë drejt BE-së është penguar pikërisht nga ato plagë kundër të cilave protestohet sot: korrupsioni i përhapur, krimi i organizuar, institucionet e politizuara dhe kapja oligarkike e pasurive publike. Ajo që po ndodh sot është kundërprova më e fuqishme që ka ekzistuar ndonjëherë. Shqiptarët po kërkojnë jetësimin e standardeve europiane. Ata po luftojnë me këmbëngulje për demokraci, liri, barazi, drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror. Po bëjnë atë që bëjnë qytetarët e përgjegjshëm në çdo demokraci europiane: projektojnë ndryshimin nga poshtë lart, drejt një modeli të ri për një Shqipëri të re.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, fryma e protestës nuk mund të shuhet, sepse ajo tashmë është më e madhe se zemërimi në rrugët e Shqipërisë apo në hapësirën digjitale. Mohimi i kësaj gjendjeje vetëm sa rrit koston e një ndryshimi që është i pashmangshëm. Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha duke qëndruar e bashkuar. Ky moment kërkon më shumë atdhedashuri, përgjegjësi, etikë, ide, përqendrim forcash dhe guxim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Si po e kthen Irani varrimin e Khameneit në shfaqje force

Irani po organizon një funeral masiv njëjavor në mbarë...

4.2 mln euro për koncertin e Kaney West! Këlliçi për deklaratën e Ramës: Ka turpëruar vendin me skandale e hiqet si “Kalorës”

Deputeti i PD Belind Këlliçi, ka reaguar në lidhje me një status të publikuar mëngjesin e sotëm, ku justifikohej se 4.2 mln euro nga fondi i rezervës për koncertin e Kanye West, ishin një përpjekje për të “mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjer më sot […]

Sot ditëlindja e Mjeshtres së Madhe të basketbollit shkodran, Artenca Tufi Kruja

Sot, shkodranët e basketbollit kanë arsye për të festuar....