Vatra e zjarrit në Rrjoll të Shkodrës vijon të jetë aktive, ndërsa terreni i thyer dhe i vështirë për t’u aksesuar po pengon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të forcave zjarrfikëse.
Sipas raportimit të autoriteteve për situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit, vatra po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm. Për të vlerësuar më qartë shtrirjen e flakëve dhe situatën në zonë është përdorur edhe një dron.
Në kushte të tilla, ndërhyrja në terren mbetet e kufizuar, ndërsa ekipet po ndjekin nga afër zhvillimin e situatës dhe rrezikun e përhapjes së zjarrit.
Një tjetër vatër është aktive në Fushë-Lajë të Shkodrës, ku forcat e angazhuara po punojnë në një terren të vështirë.
Në rang vendi, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 43 vatra zjarri. Prej tyre, 10 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera janë në monitorim.
Në përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht, në terren ndodhen 120 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Dajt dhe Shëngjergj në Tiranë, Gurë-Lurë dhe Qafë Helmes në Dibër, Abaze në Krujë, Lufaj dhe Thari në Mirditë, si dhe në Dardhë të Librazhdit.
Monitorimi dhe koordinimi i situatës në të gjithë vendin po vijon nga AKMC përmes QKOEC.

