Zjarri në Pukë, flakët rrezikojnë banesat, urdhërohet evakuimi i disa familjeve

Publikuar me datë:

Zjarri që ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme toke në Pukë vijon të jetë aktiv prej disa ditësh. Fshati Gojan mbetet zona më e prekur, ku situata paraqitet veçanërisht alarmante. Flakët e shumta po përhapen me shpejtësi, duke vënë në rrezik edhe disa banesa në afërsi.

Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e disa familjeve. Në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarrin, në operacion janë angazhuar edhe dy helikopterë.

URDHËR PËR EVAKUIM TË MENJËHERSHËM

Në zbatim të: Ligjit Nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”; Planit Kombëtar të Emergjencave Civile; si dhe Planit Vendor të Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë, si pasojë e situatës kritike të krijuar nga përhapja e zjarrit masiv në territorin e fshatit Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e banorëve, urdhërohet kryerja e evakuimit të menjëhershëm të banorëve të kësaj zone.

Evakuimi do të realizohet në koordinim të plotë me:

Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC);

Prefektin e Qarkut Shkodër;

Strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë;

Policinë e Shtetit (Komisariatin e Policisë Pukë);

Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH Pukë).

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë. Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren dhe Shtabit të Emergjencave Civile.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë:

Fëmijët dhe foshnjat;

Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike;

Personat me aftësi të kufizuara;

Familjet e mbetura në zona të izoluara apo me rrezikshmëri të lartë përfshirjeje nga flakët.

Sistemimi dhe Akomodimi:

Të gjithë banorët e evakuuar nga fshati Gojan i Madh do të akomodohen në ambientet e përgatitura të Konviktit “Ali Bytyçi” Pukë, ku janë marrë masat për strehim të sigurt, ushqim dhe shërbim mjekësor.

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:

Mjetet logjistike të Bashkisë Pukë;

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH Pukë);

Policia e Shtetit;

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (nëse kërkohet mbështetje shtesë).

Menaxhimi i strehimit të të evakuuarve dhe asistenca për qytetarët do të realizohet nga Bashkia Pukë, në bashkëpunim me:

Policinë e Shtetit;

Njësinë e Kujdesit Shëndetësor Pukë dhe Spitalin Rajonal;

Kryqin e Kuq Shqiptar dhe organizatat partnere të ndihmës humanitare.

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:

Regjistrimi i plotë i të evakuuarve në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm në Konviktin “Ali Bytyçi”;

Administrimi dhe plotësimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen, higjienën dhe ndihmën e parë/mjekësore;

Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës së zjarrit dhe masat në vijim për kthimin e sigurt në banesa.

Ky urdhër ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë!

KRYETARI I BASHKISË PUKË

Rrok DODAJ

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related