Gerald Sefa, 36 vjeç, i dha fund jetës një ditë më parë duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në zonën e Alliasit, në Tiranë.
Për ngjarjen, policia ka arrestuar Sajmir Demirin, babain e ish-bashkëjetueses së tij, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.
Dy ditë para ngjarjes, Demiri dyshohet se ka debatuar me 36-vjeçarin, duke i kërkuar llogari për ndarjen nga vajza e tij. Sipas hetimeve, debatet dhe presioni i vazhdueshëm ndaj Sefës dyshohet se e kanë shtyrë të riun drejt aktit ekstrem.
Fillimisht, policia hetoi edhe pistën e vrasjes, pasi në banesën ku ndodhi ngjarja u gjet një thikë me njolla gjaku.
Por, sipas burimeve, ekspertiza ka zbuluar se në thikë kishte gjurmë gishtash të Gerald Sefës. Dyshohet se 36-vjeçari fillimisht ka tentuar të presë damarët dhe më pas është hedhur nga lartësia.
Banesa ku ndodhi ngjarja ishte në pronësi të një familjari të Sefës, i cili ia kishte lënë të riut për të jetuar.
Nga kamerat e sigurisë është zbuluar se 36-vjeçari ka hyrë i vetëm në pallat.

