Një zjarr i fuqishëm që përfshiu Salaminën të dielën pasdite ka përfunduar në tragjedi, pasi autoritetet kanë zbuluar trupat e pajetë të dy personave në zonën e Peristerisë, pranë vendit ku dyshohet se ka nisur vatra e flakëve.
Informacionet e para sugjerojnë se viktimat janë një çift të moshuarish, të cilët mendohet se ndodheshin jashtë banesës kur zjarri përfshiu rajonin.
Sipas raportimit të parë, një banor i rrugës Andromachis njoftoi për zjarrin. Në dëshminë e tij, flakët kanë shpërthyer në një parcelë toke pranë rrugës, e cila ishte mbushur me mbeturina.
Autoritetet greke e përshkruajnë intensitetin e zjarrit si jashtëzakonisht të lartë. Në Peristeria, disa shtëpi janë përfshirë nga flakët, ndërkohë që një front tjetër vijon të djegë në zonën e Selinisë.
Katër persona që kanë pësuar djegie në Peristeria janë transportuar në Qendrën Shëndetësore të Salaminës. Sipas të dhënave, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë dhe nuk rrezikojnë jetën. Një tjetër burrë i moshuar u dërgua në qendrën shëndetësore pasi u evakuua nga banesa e tij në Kaki Vigla.
Në përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët janë përfshirë 92 zjarrfikës, 24 automjete, pesë grupe të EMODE-s së parë si dhe shumë vullnetarë.

