Lezha është vendlindja e tyre, por shumë të rinj që jetojnë aty po e shohin qytetin me sy të rinj për herë të parë.
Me anë të projektit “Lezha përtej detit”, të rinjtë e Ambasadorëve të Paqes, të mbështetur nga Bashkia Lezhë, kanë eksploruar të gjitha pikat më të rëndësishme historike, natyrore dhe kulturore të zonës.
Për ta, kjo përvojë fillon me njohjen e vendit ku janë rritur. Për të treguar historinë, kulturën dhe bukuritë natyrore të Lezhës, ata besojnë se duhet, para së gjithash, t’i njohin ato personalisht.
Kalaja, natyra, monumentet, gjurmët historike dhe artizanati janë përfshirë në katër itinerare të reja turistike, të cilat këtë herë ofrojnë eksperienca të ndryshme nga bregdeti i njohur i Lezhës.
Qëllimi i iniciativës është që thesaret e Lezhës të mos mbeten vetëm në përkujtimet e banorëve, por të shndërrohen në destinacione të promovuara për turistë. Sipas Mario Palokajt, organizator i projektit, ky ishte objektivi kryesor, i cili gjeti edhe entuziazmin dhe kuriozitetin e të rinjve pjesëmarrës.
“Lezha përtej detit” është shumë më tepër se një udhëtim njohës për të rinjtë vendas.
Projekti synon gjithashtu të krijojë itinerare turistike të mirëstrukturuara dhe të aksesueshme në mënyrë digjitale, duke i ofruar vizitorëve alternativa të reja për të zbuluar Lezhën përtej plazheve të saj.

