Kërkime të reja arkeologjike të zhvilluara në Bushat kanë nxjerrë në dritë zbulime të rëndësishme që hedhin më shumë dritë mbi historinë e qytetërimit ilir në këtë zonë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se Universiteti i Tiranës, përmes Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, dhe Universiteti i Varshavës, nëpërmjet Qendrës së Kërkimeve për Europën Juglindore në Antikitet, zhvilluan gërmime arkeologjike në bashkëpunim me DRTK Shkodër.
Punimet u përqendruan në akropolin e qytetit antik, që daton në periudhën IV-I para erës sonë. Gjatë gërmimeve u zbuluan gjurmët e një tempulli të madh, pjesë të murit rrethues të qytetit, si dhe një ndërtesë që i përket antikitetit të vonë.
Sipas specialistëve, këto gjetje po sjellin informacione të reja dhe me vlerë për shtrirjen e hapësirës urbane të qytetit antik, arkitekturën e ndërtesave publike dhe fazat e mëvonshme të përdorimit të këtij vendbanimi ilir.
Vendbanimi i Bushatit, i cili së fundmi është shpallur zonë e mbrojtur arkeologjike, pritet të pajiset në vijim edhe me sinjalistikë informuese për vizitorët, në kuadër të promovimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të zonës.

