Pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ambasada gjermane në Kosovë ka reaguar duke ngritur zërin për forcimin e masave kundër dhunës me bazë gjinore dhe zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes për gratë.
Me anë të një komunikate, ambasada ka shprehur ngushëllimet e saj ndaj familjes dhe të afërmve të viktimës, ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë që gratë të kenë të garantuar të drejtën për të jetuar larg frikës dhe dhunës, përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe veprimeve të përkushtuara.
“Femicidi nuk është një rast i izoluar, por mbetet një sfidë serioze shoqërore si shfaqja më ekstreme e dhunës ndaj grave, e cila kërkon një përgjigje të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Përfaqësuesit gjermanë kanë theksuar se siguria dhe mbrojtja e grave në rrezik duhet të jenë prioritet parësor, duke bërë thirrje për masa efektive parandaluese, ndërhyrje të shpejta nga institucionet si dhe shërbime mbështetëse të arritshme për të gjitha gratë.
Ambasada ka kujtuar gjithashtu se Kosova është palë nënshkruese e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës, që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

