Granit Xhaka, futbollisti shqiptar që përfaqëson Zvicrën, është bërë objekt i një hetimi nga Prokuroria Publike e Lucernës lidhur me dokumentet e COVID-19.
Sipas raportimit të konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Publike të Lucernës, Simon Kopp, për median zvicerane Blick, hetimet janë hapur për të zbuluar nëse ka pasur ndonjë vepër penale në lidhje me certifikatat e COVID-19.
Autoritetet dyshojnë se Xhaka mund të ketë përfituar certifikata të rreme vaksinimi. Pretendohet se këto dokumente janë prodhuar nga një mjeke që ushtron në kantonin e Lucernës.
Gjatë hetimeve, policia ka kryer një kontroll në klinikën e mjekes në vitin 2023, ku thuhet se janë sekuestruar materiale të cilat mund të lidhen me rastin. Granit Xhaka ka mohuar çdo akuzë dhe çdo përfshirje në këtë çështje.

