Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe protestat studentore që prej ditësh kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç deklaroi se Rama kishte menduar se mund ta qetësonte situatën përmes një qasjeje më të butë ndaj protestuesve, por sipas tij, kjo përpjekje nuk dha rezultatin e pritur.
Kreu i shtetit serb u ndal edhe te mundësia e zgjedhjeve të parakohshme, duke vlerësuar se në një skenar të tillë, kryeministri shqiptar do të përballej me vështirësi për të siguruar fitoren.
“Rama bëri një gabim. Edi besonte më gjatë se unë se mund t’i qetësonte me diçka, u tregua i sjellshëm. Dhe gaboi. Humbi kohën. Nëse e detyrojnë të thërrasë zgjedhje, do të jetë e vështirë për të që të fitojë. Mjaft irracionale, sepse ai është një nga asetet më të mëdha të Shqipërisë”, u shpreh Vuçiç.
Deklaratat e presidentit serb vijnë në një kohë kur protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e qeverisë vijojnë të jenë në qendër të zhvillimeve politike në vend.

