Vuçiç kërcënon me grevë urie në rast arrestimi: Një milion njerëz do të dalin në rrugë

Aleksandar Vuçiç, kreu i grupit parlamentar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), njoftoi se do të hyjë në grevë urie nëse institucionet përpiqen ta arrestojnë. Në një intervistë në televizionin Pink, ai deklaroi se një skenar i tillë do të nxirrte në rrugë një milion qytetarë.

Gjatë bisedës për Listën Studentore dhe mundësinë që të arrestohet, Vuçiç akuzoi kundërshtarët politikë për përpjekje për të dëmtuar ata që nuk i mbështesin. Ai theksoi se nuk ka ndërmend të largohet apo të fshihet, edhe nëse do të përballet me arrestim.

“Çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në momentin që kjo do të ndodhte? Unë nuk jam Marinika (Tepiç) dhe Bosko (Obradoviç), që bëjnë shaka duke ngrënë ëmbëlsira në mbrëmje dhe fruta gjatë ditës. Për mua nuk ka asnjë problem. Ata menduan se do të ikja, se do të fshihesha”, u shpreh Vuçiç.

Po në të njëjtën intervistë, Vuçiç u ndal edhe te zgjedhjet presidenciale, duke shprehur preferencën që SNS të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Ai sqaroi se vendimi përfundimtar për këtë çështje do të merret në kongresin e partisë, i cili mbahet më 13 dhjetor.

“Pse duhet ta bëjmë këtë, ndërkohë që njerëzit tanë po ndiqen, keqtrajtohen dhe persekutohen? Është plotësisht e mundur që partia të marrë edhe një vendim tjetër”, deklaroi ai.

Duke komentuar për rezultatet e SNS-së në zgjedhjet e fundit, Vuçiç vlerësoi se partia ka mundësi të përmirësojë performancën zgjedhore, por theksoi se ky synim kërkon ndryshime të brendshme, pranim të gabimeve dhe një vlerësim më realist të situatës.

Vuçiç, në intervistën e tij në televizionin Pink, tha se një ditë më parë kishte marrë kërcënime me vdekje nga klani kriminal i Vraçarit.

Ai shpjegoi se nuk do t’i kërkojë ndihmë policisë lidhur me këtë rast, pasi, sipas tij, mungon besimi tek ajo. Vuçiç akuzoi policinë se ka dështuar të ndalojë anëtarët e këtij grupi kriminal.

“Unë nuk kam çfarë t’u raportoj atyre, jo vetëm sepse nuk kam besim, por edhe sepse e di se për kë punojnë këta njerëz”, u shpreh ai.

Referuar Nova.rs, Vuçiç pohoi se mesazhi i marrë ishte i drejtpërdrejtë dhe përmbante kërcënime për eliminimin e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe