Dy vjet pas vrasjes së Egli Progës, prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për pesë individë.
Pasi përmbylli hetimet, institucioni akuzues ka njoftuar se Denis Meçe dhe Leonidha Guçe akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim, ndërsa Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku përballen me akuzat e moskallëzimit të krimit të kryer në bashkëpunim dhe pengimit të zbardhjes së së vërtetës.
Për dy të akuzuarit e vrasjes me dashje, Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ndërkohë, tre të tjerët po hetohen nën masa më të lehta sigurie, si detyrim paraqitjeje.
Ekspertiza mjekoligjore ka konfirmuar se 42-vjeçari ka ndërruar jetë si rezultat i hemorragjisë cerebrale në cipën e trurit, e shkaktuar nga një goditje me grusht. Përveç kësaj ekspertize, prokuroria ka mbështetur akuzën ndaj të dyshuarve të përfshirë në vrasje duke përdorur dëshmi dhe analizën e kamerave të bizneseve që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
Vrasja e Egli Progës, e ndodhur më 10 gusht të vitit 2024, shkaktoi një përplasje mes policisë dhe gjykatës. Në këtë kontekst, familjarët e viktimës kërkuan që hetimi të shtrihej jo vetëm mbi të akuzuarit, por edhe mbi strukturat e policisë lokale.

