Vizitë zyrtare e përfaqësuesve të Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Në kuadër të një vizite zyrtare në Shkodër, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mirëpriti një delegacion të Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), të përbërë nga Bogdan Ali-Stoica, deputet i Parlamentit të Rumanisë dhe përfaqësues i minoritetit etnik shqiptar, Radu Săvulescu, sekretar shteti për çështjet kundër diskriminimit dhe drejtues i ALAR, Dr. Luan Topçiu, shkrimtar, përkthyes, studiues dhe pedagog në Universitetin e Bukureshtit, si edhe Prof. Zamira Shkreli nga Qendra e Studimeve Albanologjike.

Delegacioni u prit në një takim nga Rektori i universitetit, Tonin Gjuraj, ku u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik ndërmjet institucioneve shqiptare dhe rumune, përmes marrëveshjeve bilaterale Erasmus+, shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, programeve të përbashkëta doktorale me Qendrën e Studimeve Albanologjike, si edhe krijimit të programeve të studimit në Albanologji me mundësi diplomash të dyfishta ndërmjet Universitetit të Shkodrës dhe QSA-së.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu organizimi i leksioneve të hapura mbi çështjet e pakicave, marrëdhëniet Shqipëri–Rumani dhe proceset e integrimit europian.
Në vijim të vizitës, në Bibliotekën Shkencore të universitetit u zhvillua një leksion i hapur me studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore nga Dr. Luan Topçiu, i cili ndau me të pranishmit reflektime mbi kulturën, identitetin dhe marrëdhëniet shqiptaro-rumune.
Në kuadër të aktivitetit, delegacioni i ALAR dhuroi për Bibliotekën Shkencore një fond botimesh me vlera studimore, letrare dhe kulturore, në shërbim të studentëve dhe studiuesve të universitetit.

