Hetimet për shpërndarjen e materialeve intime të disa artisteve kanë hyrë në një etapë të re, teksa policia ka kontaktuar kompozitorin Adi Hila, i cili pritet të merret në pyetje gjatë ditës së sotme. Hila është informuar mbrëmjen e kaluar lidhur me hetimin e nisur nga policia. Sipas të dhënave, kompozitori nuk ndodhej të mërkurën në Tiranë, por ka shprehur shqetësimin për këtë situatë dhe ka konfirmuar se do të paraqitet në polici sapo të kthehet, me qëllim të japë sqarimet dhe të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave që kanë të bëjnë me publikimin e materialeve.
Njëkohësisht, hetuesit kanë kontaktuar edhe personat që dyshohet se janë prekur nga publikimi i këtyre të dhënave private. Sipas burimeve, këto individë janë në një gjendje të rëndë emocionale për shkak të ngjarjes, dhe do të japin deklaratat e tyre para autoriteteve policore.
Mbetet e paqartë ende se si pamjet janë marrë nga sistemi i kamerave dhe më pas janë shpërndarë online. Për të zbardhur këtë, Krimi Kibernetik do të kryejë një analizë të detajuar të pajisjeve përkatëse, përfshirë edhe DVR-në ku janë ruajtur regjistrimet.
Në këtë fazë të hetimeve, një nga skenarët që po shqyrtohet është mundësia e një hyrjeje të paautorizuar në sistemin e kamerave. Hetuesit do të shqyrtojnë nëse aksesimi është realizuar në distancë ose përmes rrjetit wireless të zyrës, ndërsa ekspertiza pritet të evidentojë gjurmët digjitale të lëna gjatë këtij procesi.
Në të njëjtën kohë, policia do të kërkojë bashkëpunimin e platformës ku janë shpërndarë materialet, me synim identifikimin e përdoruesit që i ka ngarkuar ato. Po ashtu, janë në fokus edhe faqe të tjera online të dyshuara për publikimin ose ripublikimin e këtyre videove, për të vlerësuar nëse materialet janë shpërndarë në platforma të ndryshme.
Vazhdimi i hetimeve, bazuar në rezultatet e analizave dhe dëshmive të mbledhura, pritet të ndihmojë në zbardhjen e mënyrës së daljes së materialeve nga sistemi dhe të përcaktojë se kush ka pasur akses apo ka qenë i përfshirë në publikimin e tyre.

