Vendimi i Bashkisë Shkodër për të ndaluar parkimin anësor në rrugën “Ludovik Saraçi” ka shkaktuar pakënaqësi te banorët e zonës, të cilët thonë se nuk u është ofruar asnjë alternativë për parkimin e automjeteve.
Pas publikimit të ndryshimeve të reja në qarkullim, disa qytetarë kanë shprehur shqetësimet e tyre përmes mesazheve dhe komenteve, duke kërkuar zgjidhje konkrete për situatën.
Një prej banorëve tregon se prej 22 vitesh e ka parkuar automjetin pranë banesës së tij dhe se vendimi i ri e vë përballë një problemi serioz.
“Kam mbi dy dekada që e lë makinën pranë shtëpisë. Tani ku duhet ta parkojmë? Nuk mund të hiqen parkimet pa u krijuar më parë hapësira të tjera”, shprehet ai.
Edhe banorë të tjerë kritikojnë mungesën e konsultimit me komunitetin përpara marrjes së këtij vendimi. Sipas tyre, rrugicat përreth, veçanërisht në zonën e Gjuhadolit, janë të ngushta dhe nuk ofrojnë mundësi për parkim.
Nga ana tjetër, Bashkia Shkodër ka bërë të ditur se duke nisur nga data 10 korrik, rruga “Ludovik Saraçi” do të jetë e kalueshme në të dy drejtimet, nga zona e Dugajve të Reja deri pranë Shkollës Pyjore, në kryqëzimin me rrugën “Marin Beçikemi”.
Sipas institucionit vendor, ky riorganizim synon përmirësimin e qarkullimit dhe shmangien e trafikut të krijuar nga parkimet anësore që ngushtonin segmentin rrugor.
Në të njëjtën kohë, bashkia ka paralajmëruar se parkimi në këtë aks do të jetë i ndaluar dhe drejtuesit e mjeteve që nuk respektojnë sinjalistikën e re do të përballen me masa administrative, përfshirë gjoba dhe largimin e automjeteve që pengojnë qarkullimin.
Megjithatë, për banorët e zonës mbetet ende e pazgjidhur pyetja kryesore: ku do të parkohen automjetet e tyre pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi?

