Strukturat e Bashkisë Shkodër, së bashku me Policinë e Shtetit, Hetimin Tatimor, Krimin Ekonomik dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, kanë realizuar kontrolle të koordinuara në Plazhin e Velipojës për të monitoruar zbatimin e çmimit tavan, miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Gjatë këtyre inspektimeve, nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, theksoi se çdo subjekt ka detyrimin të publikojë qartë çmimet dhe t’i respektojë ato. Ai gjithashtu paralajmëroi se, duke filluar nga nesër, çdo shkelje do të ndëshkohet me masa administrative dhe penalitete, në përputhje me legjislacionin aktual.
Preka u bëri apel qytetarëve dhe pushuesve që të raportojnë çdo rast abuzimi me çmimet në Sallën Operative të Policisë Bashkiake, me numrin 069 606 0992.
Sipas tij, ruajtja e rregullave dhe mbrojtja e konsumatorëve janë të rëndësishme për të siguruar që Velipoja të mbetet një destinacion turistik ku respektohen ligjet, qytetarët dhe pushuesit.

