Banorët e lagjes “Skënderbeg” në Shkodër kanë shprehur pakënaqësi lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm, duke theksuar se pas ndërhyrjeve të fundit në rrjetin e Ujësjellës Kanalizime Shkodër, uji ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm.
Një qytetar deklaroi:
“Kjo është cilësia e ujit që vjen nga Ujësjellësi në Shkodër, në lagjen ‘Skënderbeg’, pas ndërhyrjes në rrjetin e UKSh.”
Mesazhi është shoqëruar me pamje ku tregohet qartë uji i turbullt, gjë që ka nxitur shqetësime të mëdha për cilësinë e furnizimit me ujë në këtë zonë, sidomos pas rikthimit të shërbimit.
Kjo situatë është vërejtur për herë të parë që nga data 21 korrik, kur nisën punimet në rrjetin e ujësjellësit.
Gjatë javës së fundit, në Shkodër janë zhvilluar punime për lidhjen e rrjetit të ri të ujësjellësit me stacionin kryesor në Dobraç, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në disa zona të qytetit.

