Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kanë formalizuar një marrëveshje bashkëpunimi me synim forcimin e kërkimit shkencor dhe studimeve albanologjike.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektorja e UNISHK, Blerta Dragusha, dhe drejtorja e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Majlinda Toçi.
Bashkëpunimi parashikon zhvillimin e kërkimeve dhe projekteve të përbashkëta në fusha si gjuhësia, bibliografia, arkivistika dhe trashëgimia dokumentare. Në fokus do të jenë gjithashtu projekte akademike, botuese dhe digjitale me interes të përbashkët për të dy institucionet.
Një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes lidhet me përfshirjen e studentëve, doktorantëve, pedagogëve dhe studiuesve në veprimtari të përbashkëta, duke krijuar mundësi për kërkime dhe studime mbi koleksionet albano-ballkanologjike të Bibliotekës Kombëtare.
Në takim ishin të pranishme edhe zv.rektorja e UNISHK, Eliana Laçej, si dhe drejtuesja e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Zamira Shkreli.
Marrëveshja synon të krijojë një bashkëpunim më të qëndrueshëm mes dy institucioneve dhe të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të studimeve albanologjike në Shkodër dhe në Shqipëri.

