Zjarrfikësit e Ulqinit do të marrin nga 1.000 euro secili si vlerësim për angazhimin në shuarjen e zjarreve që përfshinë zonën gjatë muajit gusht.
Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në shenjë mirënjohjeje për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, të cilët u përballën për ditë me radhë me flakët, në terrene të vështira dhe kushte të rënda atmosferike.
Sipas njoftimit të komunës, gjatë operacioneve zjarrfikësit rrezikuan sigurinë e tyre për të mbrojtur jetët e qytetarëve, pronat dhe pasuritë natyrore.
Përmes këtij shpërblimi financiar, autoritetet vendore synojnë të vlerësojnë profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e efektivëve gjatë situatës së emergjencës.

