Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka nisur sërish kritika ndaj qeverisë izraelite, duke e akuzuar atë se është “e varur nga lufta” dhe se po provokon tensione në Lindjen e Mesme duke minuar përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve.
“Ne, nga ana jonë, kemi mbështetur dhe vazhdojmë të mbështesim çdo hap që do të kontribuojë në uljen e tensionit në rajonin tonë dhe zgjidhjen e problemeve përmes diplomacisë”, shprehu ai, duke shtuar se Ankaraja po vëzhgon “me vëmendje të veçantë” veprimet e qeverisë izraelite, të cilën e akuzon për përpjekje për të minuar konsensusin.
Erdogan përmendi një “udhëheqje sioniste”, të cilën e quajti “grup kasaphanësh”, duke pretenduar se kjo e lidh mbijetesën e saj politike me vazhdimin e konflikteve në rajon, veçanërisht ndaj Libanit dhe Sirisë, të cilat nuk i lë të qetë.
“Nuk duhet të lejojmë që qeveria aktuale e Izraelit, e cila është e varur nga lufta, ta zhytë përsëri rajonin tonë gjeografik në erën e barutit dhe gjakut”, vuri në dukje ai, duke theksuar se Turqia kërkon një rend rajonal në të cilin të gjithë qytetarët, pavarësisht nga feja, të jetojnë në paqe dhe siguri.

