Janë bërë publike të dhëna të reja mbi ndalimin dy ditë më parë të një shtetasi shqiptar në Athinë. Burime raportojnë se i arrestuari është Lulëzim Caka, i cili në Shqipëri akuzohet për vrasje. Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet sekuestruan dy milionë euro, sasi droge dhe bizhuteri.
Lulëzim Caka, i quajtur edhe “Lul Caka”, është një nga figurat më të njohura të botës së krimit shqiptar të viteve ’90. Aktivitetet e tij kriminale u përqendruan kryesisht në zonat Berat-Fier-Lushnjë, në një periudhë shënuar nga pasiguria dhe dhuna që përfshiu vendin pas vitit 1997. Caka është dënuar për vrasjen e Pëllumb Eminit, një ngjarje që ndodhi më 21 korrik 1997 në Lushnjë.
Caka është dënuar gjithashtu në një tjetër çështje që lidhet me një atentat ndaj dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi. Sipas të dhënave nga vendimet gjyqësore, ai u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së tyre si dhe për armëmbajtje pa leje, duke u dënuar në total me 25 vite burgim.
Episodi ndodhi në mars të vitit 1998, kur Caka akuzohej për qëndresë të armatosur ndaj forcave policore. Ai ka mohuar përfshirjen në këto veprime, megjithëse Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi dënimin ndaj tij.

