Një sulm kibernetik ka goditur Trenitalia, kompaninë italiane të hekurudhave, duke rezultuar në akses të paautorizuar në të dhënat personale të disa pasagjerëve. Kompania vetë e ka konfirmuar këtë informacion, duke theksuar se incidenti është i lidhur me të dhënat e biletave të udhëtimit.
Trenitalia raportoi se sulmi kishte ndodhur në tetor të vitit 2025, por identifikimi i personave të prekur dhe njoftimi i tyre u bë i mundur vetëm pas një analize të thelluar teknike.
Kompania sqaroi se hakerët kishin pasur qasje në të dhëna të tilla si emri dhe mbiemri i pasagjerëve, destinacioni, data dhe ora e udhëtimit, si dhe informacione të tjera personale, duke përfshirë adresat e e-mailit, numrat e telefonit, të dhënat e dokumenteve të identitetit dhe kodin e kartës së besnikërisë.
Sidoqoftë, Trenitalia siguroi se kredencialet e hyrjes në llogaritë e përdoruesve dhe të dhënat bankare, përfshirë numrat e kartave të pagesës, datat e skadencës dhe kodet e sigurisë, nuk ishin komprometuar.
Prokuroria e Romës ka nisur një hetim të lidhur me këtë ngjarje, duke marrë një raport paraprak nga Policia Postare. Ekspertët e Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike gjithashtu kanë bashkëpunuar me teknikët e Trenitalia për të identifikuar dobësitë në sistem dhe për të rikthyer sigurinë e platformave të prekura.
Pas incidentit, Trenitalia njoftoi Autoritetin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ekipin kombëtar të reagimit ndaj incidenteve kibernetike (CSIRT Italia) dhe Prokurorinë e Romës.
Kompania gjithashtu iu kërkoi pasagjerëve të tregojnë kujdes nga mesazhet ose e-mailet e dyshimta që mund të lidhen me udhëtimet e tyre.
“Ekziston rreziku që qytetarët të marrin komunikime mashtruese që kërkojnë të dhëna personale ose financiare apo përmbajnë lidhje dhe bashkëngjitje të dyshimta. Në rast dyshimi, verifikoni gjithmonë identitetin e dërguesit“, theksohet në njoftimin e Trenitalia-s.
Ky incident ndodh në një periudhë të vështirë për hekurudhat italiane, të cilat janë përballur me kritika për vonesa të shumta, probleme teknike dhe punime në rrjetin hekurudhor për muaj me radhë.
Ngjarja ka shkaktuar gjithashtu reagime politike, me deputetë dhe senatorë të opozitës që kërkojnë një raportim nga ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, në Parlament, për të sqaruar se si sistemi informatik i kompanisë mund të kishte qënë i cenueshëm, duke rrezikuar të dhënat personale të miliona pasagjerëve.
Për më tepër, shoqata italiane e konsumatorëve, Codacons, ka shprehur shqetësimin e saj, duke paralajmëruar se të dhënat e vjedhura mund të shfrytëzohen për sulme të tipit “phishing” dhe mashtrime të tjera të synuara ndaj udhëtarëve.

