Todd Blanche, që më parë ka shërbyer si avokat personal i presidentit amerikan Donald Trump, është miratuar me një diferencë të ngushtë në detyrën e prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, pozicioni më i lartë i vendit për zbatimin e ligjit.
Ky konfirmim i jep fund një periudhe të tensionuar mes republikanëve të Senatit dhe administratës Trump në lidhje me Blanche, i cili që prej muajit prill mbante këtë detyrë në mënyrë të përkohshme.
Rezultati i votimit ishte 50 pro dhe 49 kundër; dy senatore republikane, Susan Collins dhe Lisa Murkowski, iu bashkuan demokratëve duke kundërshtuar këtë emërim.
Senatori republikan Bill Cassidy, i njohur për përplasjet e tij të mëparshme me Trump, dha votën vendimtare, një veprim që u ndoq me interes të veçantë në Uashington.
Pas përfundimit të votimit, Blanche deklaroi se ishte “thellësisht i nderuar nga besimi dhe mbështetja” që presidenti Trump kishte treguar ndaj tij.
Një grup senatorësh republikanë shprehën shqetësime lidhur me mënyrën si Blanche kishte menaxhuar publikimin e dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein, si dhe për angazhimin e tij në krijimin e një fondi 1.8 miliardë dollarësh, të planifikuar nga Trump për të luftuar atë që administrata e përkufizon si “instrumentalizim politik” të institucioneve.
Ky fond synonte të jepte kompensim individëve që pretendonin se ishin persekutuar nga autoritetet, por kritikët, përfshirë Murkowski, ngritën shqetësime se mjetet mund të përdoreshin edhe për persona të ndjekur penalisht për pjesëmarrje në trazirat e 6 janarit 2021 ndaj Kongresit.
Pasi u përball me kundërshtime të forta nga republikanët gjatë seancave të konfirmimit, Blanche mori përsipër publikisht të tërhiqej nga ky fond.
Megjithatë, ende nuk është plotësisht e qartë nëse ky zotim është i detyrueshëm nga pikëpamja ligjore apo nëse, në të ardhmen, Trump mund ta bindë Blanche – ish-avokatin e tij – të rikthejë një mekanizëm të ngjashëm nën një emër tjetër.
Këto pikëpyetje të ngritura rreth Blanche ndikuan në mosmbështetjen e menjëhershme nga ana e Collins dhe Murkowski. Murkowski theksoi se nuk kishte besim te Blanche për të “frenuar impulset më të këqija të kësaj administrate”.
Të premten, Murkowski sqaroi se do të votonte kundër, duke përmendur shqetësime për “politizimin” e Departamentit të Drejtësisë.
Edhe Collins paraqiti rezerva për përfshirjen e Blanche në zgjidhjen e një padie 10 miliardë dollarëshe të Trump kundër IRS, megjithatë shprehu besimin se Blanche do të këshillojë presidentin me ndershmëri ligjore.
Para se të deklaronte votën vendimtare, Cassidy u shpreh se Blanche ishte alternativa më e mirë që presidenti mund të zgjidhte për këtë detyrë.
“Ky nuk është një referendum për presidentin Trump, por një vendim për zotin Blanche, në rrethana shumë specifike. Duke i marrë të gjitha parasysh, do të votoj për zotin Blanche”, tha Cassidy të premten.
Cassidy theksoi se presidenca, dhe vetë Trump, mban përgjegjësi përfundimtare mbi Departamentin e Drejtësisë, por shtoi se konfirmimi i Blanche në Senat do t’i lejonte atij “më shumë mundësi për të shtyrë përpara çështjet që duhet të shtyhen përpara”.
Në vitin 2021, gjatë procesit të dytë të shkarkimit të Trump, Cassidy kishte votuar për shpalljen fajtor të presidentit lidhur me trazirat në Kapitol më 6 janar 2021. Ndërsa votimi nuk arriti shumicën, kthimi i Trump në pushtet solli mbështetjen e tij për një rival të Cassidy-t në zgjedhjet paraprake të Senatit në Luiziana, duke e detyruar Cassidy të tërhiqej nga gara.
Chuck Schumer, lideri demokrat i Senatit, në një postim në X, shprehu shqetësimin se konfirmimi i Blanche do t’i jepte Trump “një justifikim të gatshëm për të vazhduar korrupsionin e tij të përhapur dhe tronditës”.
“Todd Blanche nuk ka ndërmend ta ndalojë korrupsionin e Trumpit. Ai e ka avancuar karrierën e tij duke e mundësuar atë”, shkroi Schumer. “Çdo senator që votoi për ta konfirmuar tani e ka etiketuar veten si bashkëpunëtor në këtë proces.”
Megjithë kritikat, shumica e republikanëve shprehën menjëherë mbështetje për rezultatin.
Senatori Chuck Grassley nga Iowa, kryetar i Komisionit Gjyqësor të Senatit, vlerësoi në X se Blanche kishte treguar “durim, dhembshuri dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme” gjatë gjithë procesit të emërimit.
“Nuk ka dyshim se ai është i kualifikuar”, shkroi Grassley.
Blanche, i cili më parë ishte zëvendësprokuror i përgjithshëm, mori drejtimin e përkohshëm të Departamentit të Drejtësisë në prill pas shkarkimit të Pam Bondi.

