Shkruan ILIR ZELA, themelues dhe kryetar i parë i Rinisë Eurosocialiste Shqiptare
Një pjesë e rëndësishme e rinisë shqiptare është duke protestuar në rrugët e Tiranës këto ditë. Kërkesat e tyre për një sistem politik demokratik dhe funksional janë të arsyeshme. Socialistët i reflektuan këto aspirata në Kushtetutën e vitit 1998. Në periudhën 1992-1997, socialistët u përballën me fashizmin dhe qëndruan në këmbë. Ata stabilizuan vendin pas krizës së vitit 1997, hapën rrugën për integrimin në Europë, kontribuan në çlirimin e Kosovës dhe nisën reformën në drejtësi në vitin 2015. Mes këtyre kontributeve të socialistëve dhe aspiratave të protestuesve të rinj, ekziston një paralel. Megjithatë, është e qartë se ekziston edhe një anë tjetër e medaljes. Autokracia aktuale është shumë larg ëndrrave të shqiptarëve. Rilindasit e pasuruar, të trashur dhe të lidhur me krimin janë protagonistët e negociatave të protestës, përveç subjektit të SPAK. Kam parë socialistë që po protestojnë, shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e demokracisë në vend. Po ashtu, kam vënë re socialistë të tjerë që i japin mbështetje të panikut të autokratit kryeministër.
Reflektimi mbi raportin e socialistëve me protestën më ka shtyrë të pyes: a janë të gjithë socialistët shndërruar në klone të SPAK-ut dhe viktima të oligarkisë? Shpresoj që revolta e rinisë të ofrojë mundësinë që socialistët të rikthejnë partinë e tyre nga kalimi në një trust të betonit dhe të kuptojnë se sakrifikimi i demokracisë së brendshme për një unitet të rremë ishte në thelb një uzurpim i pushtetit nga individë pa lidhje me socialistët e vërtetë, një grupi që nuk i ka besuar kurrë Edi Ramës, por gjithsesi e ka mbështetur. Protesta është një mundësi edhe për ata socialistë që e besuan Rilindjen pa i lidhur këto besime me leje ndërtimi dhe përfitime, që të shprehin zhgënjimin e tyre dhe të kuptojnë se atdheu, pyjet, bregdeti, plazhet dhe fushat janë më të rëndësishme se një pozita administrative ose ndihma nga një sistem i korruptuar autokratik.
Kur shoh socialistë që protestojnë, më lind pyetja: ka kuptim t’u thuash këtyre individëve se uzurpimi i vullnetit të tyre ka detyruar 1 milion shqiptarë të largohen nga vendi, ka kontribuar në arrogancën e pushtetit dhe dobësimin e llogaridhënies? Ata janë të vetëdijshëm për këto të vërteta dhe për këtë protestojnë. Socialistët e dinë që sot, ata që janë në pushtet janë më të plakur dhe më të dhjamosur se bllokmenët e fundit të regjimit hoxhist. Është koha që një brez i ri të rikthejë vlerat më të mira të së majtës dhe të kërkojë modestisht të angazhohet në udhëheqjen e vendit. Por, për të qenë socialist dhe për të protestuar, do të thotë që ke hequr dorë nga përpjekja për ta çliruar politikën dhe nuk beson në mundësinë e një lidershipi të ri, jo vetëm për socialistët, por për të gjitha alternativat politike, që të realizohet përmes demokracisë së brendshme. Vendi i protestës së socialistëve duhet të jetë në radhë të parë Partia Socialiste. Socialistët duhet të ribashkohen me vetveten dhe t’u dorëzojnë drejtësisë të gjithë rilindasit që ajo ka kërkuar për një kohë të gjatë. Duhet të bëhen njësh me aspiratat e shqiptarëve për drejtësi, dinjitet dhe integrim në Europë!
A ekziston vërtet mundësia për një rrugë të re të bazuar në kolegjialitet përballë arrogancës, një rrugë që mbështetet në legjitimitet përballë korrupsionit, monopoleve dhe krimit? A ka socialistë që e kanë kuptuar fundin e drejtimit autokratik kur shumica dërrmuese e mandateve të tyre u përdor për të mbrojtur paprekshmërinë e korrupsionit në qeverisje? A ka socialistë që besojnë në llogaridhënie, në ndryshim dhe rinovim?
Kushdo që ka qenë i përfshirë në skandale gjatë këtyre viteve, që ka lejuar ose relativizuar korrupsionin, duhet të tërhiqet dhe të kërkojë ndjesë pa kursim nga socialistët! Për të mos lënë asnjë dyshim, Edi Rama duhet të kërkojë falje për të gjitha kontradiktat e tij si lider i PS-së dhe si kryeministër, nga kriminalizimi i Kuvendit deri te emërimet e individëve të papërshtatshëm në qeveri, nga shkatërrimi i konceptit të shtetit deri te ikja e më shumë se 1 milion shqiptarëve, nga vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi deri te pengimi i saj përmes mbrojtjes politike të subjekteve të SPAK-ut. Tani ka rënë maska dhe Edi Rama u detyrohet socialistëve dorëheqjen dhe hapjen e rrugës. Nëse ai nuk e bën këtë, socialistët nuk duhet të ndjekin shembullin e tij në një rrugë të rrezikshme; ata duhet të gjejnë një tjetër rrugë!
Nëse ka ndonjë element mirënjohjeje në qenien e Edi Ramës, tani është koha ta tregojë. Prej 13 vjetësh ai është kryeministër me votat e socialistëve. Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm! Hezitimi për t’i hapur rrugë ndryshimit tani rrezikon ta lërë Partinë Socialiste si një kujtim të bukur të së shkuarës, ndoshta pa anëtarë dhe pa mbështetje. Ose PS duhet të ndryshojë kurs tani, ose një e majtë e re, siç është paralajmëruar nga disa nga intelektualët më të njohur të saj, do të shfaqet si një alternativë e rëndësishme politike. Eksperimenti dhe praktika e autokracisë kanë dështuar dhe na kanë sjellë vetëm situata të dhunshme dhe tallëse. Është koha për demokraci!
Si themelues dhe kryetar i parë i FRESSH-it, si anëtar i Partisë Socialiste që nga viti 1992, si deputet i zgjedhur dy herë me votë të drejtpërdrejtë dhe si pjesë e strukturave udhëheqëse të saj në kohën kur zgjedhjet ishin të vërteta, shpresoj të besoj te njerëzit e thjeshtë të së majtës. Dua t’i shoh ata të ndalin mbështetje për keqbërësit, veçanërisht në rastet kur kjo ka helmuar një pjesë të identitetit të tyre! Dëshiroj t’i shoh ata të rikthejnë partinë e tyre aty ku i takon, në zemrën e aspiratave të shqiptarëve për liri, barazi dhe dinjitet. Shpresoj që sa më shpejt, përfaqësuesit më të mirë të rinisë, që e kuptojnë gjeneratën Z, jo klonet e zaptimit, të dalin në krye të së majtës dhe të kontribuojnë me një mendësi të re për një Shqipëri që duhet të mbyllë tranzicionin dhe të integrohet në demokracitë perëndimore si anëtare e Bashkimit Europian, dhe jo të rikthehet nën zaptim!

