Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë shkaktuar një rënie të ndjeshme të nivelit të ujit në kufirin ujor mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Liqeni i Vërmicës, i lidhur me sistemin e Liqenit të Fierzës, është tharë në një pjesë të konsiderueshme, duke krijuar hapësira të gjelbëruara ku tashmë kullosin edhe bagëtitë.
Në pjesën e liqenit që shtrihet në territorin e Kosovës, pranë pikës doganore të Morinës, janë bërë të dukshme objekte dhe gjurmë që zakonisht qëndrojnë nën ujë. Mes tyre dallohen edhe rruga e vjetër e kufirit dhe struktura të Doganës, të cilat dikur shërbenin në vijën ndarëse mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Rënia e nivelit të ujit lidhet me temperaturat e larta dhe mungesën e reshjeve, por edhe me shfrytëzimin e rezervave ujore për prodhimin e energjisë elektrike në Hidrocentralin e Fierzës.
Edhe në pjesën shqiptare, niveli i Liqenit të Fierzës ka pësuar rënie të ndjeshme. Rezervuari, një nga më të mëdhenjtë e kaskadës së Drinit, ka një kapacitet prej mbi 3 miliardë metra kub ujë.
Nga kuota maksimale prej 296 metrash, niveli aktual i ujit raportohet rreth 279 metra, pra rreth 17 metra më poshtë se maksimumi, duke reflektuar situatën e thatësirës dhe temperaturave të larta.

