Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha nga Strasburgu, ku ndodhet për punimet e Parlamentit Europian, që po diskuton progres-raportin për Shqipërinë, se qytetarët shqiptarë po protestojnë prej ditësh që zëri i tyre të dëgjohet dhe të jepet llogari nga qeveria.
Së bashku me kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Tabaku po zhvillon takime me eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve politike në Parlamentin Europian.
Në një videomesazh nga Strasburgu në rrjetet sociale, ligjvënësja demokrate shprehet se çështjet për të cilat qytetarët po protestojnë prej ditësh në Tiranë janë transmetuar tek eurodeputetët edhe pse shume prej tyre nuk janë tema të reja për institucionet europiane, por shqetësime të përsëritura ndër vite në raportet e Parlamentit Europian dhe të Bashkimit Europian për Shqipërinë.
“Në Parlamentin Europian ku eurodeputetët pyesin për arsyet se përse Shqipëria proteston! Përgjigjia është e thjeshtë: Sistemi i pakicës duhet rrëzuar!”, thotë ajo mes të tjerash.
Tabaku argumentoi se ligje si ai i Investimeve Strategjike, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë pjesë e problematikave që Bashkimi Europian ka evidentuar vazhdimisht për vendin.
Sipas Tabakut, Shqipëria duhet të ndjekë modelin europian të shtetit ligjor, transparencës dhe institucioneve të forta, dhe jo rrugën e një autokracie elektorale apo të një shteti të kapur që miraton ligje me porosi dhe në funksion të interesave të një pakice.
“Çështjet për të cilat protestuesit kanë mbushur rrugët e Tiranës janë po ato çështje që prej vitesh gjenden në raportet e Parlamentit Europian. Ligji i Investimeve Strategjike, Ligji i Zonave të Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë njëkohësisht çështje të Shqipërisë dhe të Europës. Zëri i qytetarëve që protestojnë po sillet sot në Parlamentin Europian dhe do të jetë pjesë e debatit parlamentar për Shqipërinë”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se qëllimi i takimeve në Strasburg është që shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe problematikat që lidhen me shtetin e së drejtës, demokracinë dhe transparencën të jenë pjesë e diskutimeve europiane për të ardhmen e Shqipërisë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

