Spitali Rajonal i Shkodrës organizoi këtë të shtunë një aktivitet të veçantë për të nderuar disa prej figurave më të shquara të kirurgjisë, të cilët për dekada të tëra dhanë një kontribut të çmuar në shërbim të qytetarëve dhe në zhvillimin e këtij reparti.
Gjatë ceremonisë u vlerësuan me mirënjohje kirurgët e ndjerë Mark Mirashi, Ramiz Hafizi, Ali Spahija, Ferit Hoti dhe Zyliha Kraja, si dhe mjeku kirurg Hamza Vneshta, i cili ishte i pranishëm në aktivitet.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Shkodrës, Senad Hallunaj, u shpreh se këta gjashtë mjekë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e spitalit dhe kanë qenë shembull për brezat e rinj të mjekëve.
Nga ana e tij, shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, Gëzim Galiqi, i cilësoi ata si “misionarë të kirurgjisë”, të cilët me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre i dhanë prestigj këtij shërbimi.
Ndërkohë, ish-mjeku kirurg Hamza Vneshta përcolli një mesazh të veçantë për bluzat e bardha, duke i inkurajuar të vijojnë me përkushtim misionin fisnik të mjekut.
Në përfundim të aktivitetit, për kontributin e tyre të vyer, u ndanë certifikata mirënjohjeje për kirurgët e nderuar.

