Bardh Spahia ka reaguar pas shkrimit të “The Guardian” për zhvillimin urban dhe projektet e ndërtimit në Shqipëri, të lidhura me librin “The Albanian Files”.
Spahia ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së arkitektëve të huaj dhe sjell në vëmendje rastin e dy kullave në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej rreth 45 mijë metrash katrorë. Sipas materialit të “The Guardian”, arkitekti Sam Chermayeff tregon se u kontaktua nga një bashkëpunëtor i Ramës dhe pranoi projektin pa e kuptuar fillimisht plotësisht se çfarë përfshinte.
Në reagimin e tij, Spahia kritikon gjithashtu zhvillimin e vrullshëm të sektorit të ndërtimit dhe lidhjet që janë ngritur ndër vite mes pasurive të paluajtshme dhe pastrimit të parave.
“The Guardian” në shkrimin e publikuar më 2 tetor trajton në mënyrë më të gjerë transformimin urban të Shqipërisë, duke iu referuar rreth 60 studiove ndërkombëtare dhe më shumë se 500 projekteve të përfshira në “The Albanian Files”. Gazeta gjithashtu pasqyron kritika mbi transparencën e proceseve dhe mënyrën e përzgjedhjes së arkitektëve.
Në fund të reagimit, Spahia e mbyll me mesazhin: “Shqipëria nuk është lavatriçja juaj!”.

