Skandal në Bashkinë Vlorë/ 45 punonjës u gjetën me shkelje në 64 tendera

Publikuar me datë:

Një duzinë punonjësish të Bashkisë së Vlorës janë gjetur me shkelje të rënda nga institucionet kontrolluese, duke faktuar atë që flitet e përflitet për vite me radhë, ku ndërmarrjet në atë qytet janë thjesht sa për sy e faqe dhe për abuzime me detyrën.

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Agjencia e Prokurimit Publik kanë gjetur shkelje në 64 tendera të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Vlorë, teksa “lajm” do të ishte nëse kjo ndërmarrja ka bërë ose jo ndonjë tender me procedurë të rregullt.

Përgjegjësia ndaj dy kryebashkiakëve të fundit, Ermal Dredha dhe Bruna Mersini, ku i pari dha dorëheqjen pasi kryeministri Edi Rama i shkuli disa herë “veshin”, ndërkohë që e dyta bëri një sakrificë, duke lënë postin e drejtoreshës së Spitalit Rajonal të Vlorës për t’u katapultuar në krye të bashkisë. Por, të dy kanë përgjegjësi direkte dhe indirekte, pasi me veprimet dhe mos veprimet e tyre, ndërmarrja që duhet të ishte pararojë e punëve në atë qytet, është kthyer në një institucion që abuzon rëndë me detyrën.

Në dokumentet që ka hulumtuar Vox News duket qartë abuzimi i kësaj ndërmarrje pasi pjesa më e madhe e punonjësve dhe ish punonjësve janë gjetur me shkelje, ndërkohë që është kërkuar masë për plot 45 të tillë. Ajo që bie erë në gjithë këtë situatë është fakti se asnjë prej 45 punonjësish ende nuk është proceduar ndaluar apo arrestuar për abuzime me detyrën, pasi dëmi financiar është tepër i lartë për të mos përmendur edhe dëmin ndaj qytetarëve të thjeshtë, të cilët nuk kanë marrë shërbim nga kjo ndërmarrje.

Disa anëtarë të këshillit Bashkiak të Vlorës, por edhe vetë kryeministri Edi Rama, ka kritikuar disa herë punët që bëhen shkel e shko në atë qytet, ku ndërmarrja që duhet të ishte në krah të qytetarëve, duke se është në krahun e abuzimit, qoftë me tenderat apo me punët publike, ku mjafton që të përmendesh rastin e zjarrit në fushën e mbetjeve për të faktuar më së miri abuzimin. Asnjë punonjës apo drejtues i Bashkisë së Vlorës nuk ka marrë masa për atë katastrofë mjedisore që ndodh vit për vit në atë qytet, ndërkohë që Ndërmarrja Publike vetëm sa bën tendera për t’a mbuluar me dhe’.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar, KLSH dhe APP kanë gjetur shkelje në plot 64 procedura ose tendera të zhvilluar nga kjo ndërmarrje. Janë 18 procedura të hapura, 17 të hapura të thjeshtëzuara 29 procedura prokurimi me vlerë të vogël që janë gjetur me shkelje. Lista vijon me 44 kontrata publike furnizimi me probleme, 17 kontrata publike për punë dhe 3 kontrata publike për shërbime.

Pra, të gjitha procedurat e zhvilluara nga ai institucion kanë pasur parregullsi, për të mos thënë paracaktime dhe abuzime të mëdha, të cilat fare mirë mund të prodhojnë një dosje të mirëfilltë penale, qoftë për Prokurorinë e Vlorës, apo nëse janë të përfshirë edhe kryetarët e bashkive, hetime të mundshme nga Prokuroria e Posaçme.

“Autoriteti kontraktor nuk ka vepruar në përputhje ligjin e prokurimit publik, lidhur me përllogaritjen e fondit limit, në procedurat e prokurimit të audituara. Ky autoritet nuk ka vepruar lidhur me hartimin dhe argumentimin e specifikimeve teknike, në procedurat e prokurimit të audituara”, janë dy nga shkeljet, pra është bërë gabim përllogaritja e fondit limit dhe janë hartuar në mënyrë të gabuar dokumentet e tenderit.

Një tjetër shkelje e kësaj ndërmarrje ka të bëjë me parregullsi dhe abuzime lidhur me hartimin dhe argumentimin e kritereve të veçanta të kualifikimit, në procedura prokurimi të audituara. E fundit, ka të bëjë se Ndërmarrja nuk ka vepruar lidhur me vlerësimin e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, në procedura prokurimi të audituara. Duket se abuzimet janë të mëdha, me një dëm të konsiderueshëm, ku në fund APP dhe KLSH kanë marrë masa disiplinore ndaj 7 personave dhe të dënojë me gjobë 38 persona, të evidentuar përgjegjës për shkelje dhe mangësi të konstatuara në vendim.

Nga /Voxnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related