Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka shpallur bojkot të mësimdhënies në të gjitha universitetet publike, duke u solidarizuar me protestat e studentëve dhe nxënësve në Tiranë. Sipas deklaratës zyrtare të sindikatës, bojkoti do të fillojë më 21 tetor dhe do të vazhdojë deri në një njoftim të dytë.
Kryesia e SPUSH mori këtë vendim unanim gjatë një mbledhjeje të organizuar më 20 tetor, drejtpërdrejt në sheshin ku studentët dhe nxënësit po protestojnë. Sindikata sqaroi se ky hap ndërmerret për të përkrahur kërkesat e të rinjve dhe për të mbrojtur të drejtën e tyre për protestë paqësore.
SPUSH argumenton se studentët, prej muajsh, kanë kërkuar arsim më cilësor, shërbime shëndetësore dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe përgjegjshmëri institucionale. Por, sipas sindikatës, institucionet kanë reaguar me heshtje dhe, që prej 13 tetorit, me përdorimin e dhunës, të cilën e cilëson si “ekstreme”.
“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sindikata tërheq vëmendjen se shqetësimet e pedagogëve lidhur me zhvillimet politike e ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë përputhen me ato të studentëve. Bojkoti synon të përçojë një mesazh mbështetjeje për të rinjtë dhe të kërkojë përgjigje të qarta për problemet e ngritura nga protestuesit.
SPUSH kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë. Një kërkesë tjetër është inicimi i menjëhershëm i një hetimi të pavarur dhe transparent mbi përdorimin e forcës nga 13 tetori e në vijim, si dhe vendosja para përgjegjësisë e individëve që, sipas sindikatës, kanë urdhëruar apo ushtruar dhunë.
Në njoftim theksohet edhe domosdoshmëria për trajtim të ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar, së bashku me plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve.
Sindikata i bën thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë të respektojnë bojkotin, duke kërkuar që të mos ketë masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve të përfshirë në të.
“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë”, thekson sindikata.
SPUSH fton pedagogët të marrin pjesë aktive në protestë. Sipas planit të bërë publik, grumbullimi do të zhvillohet çdo ditë, në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës në mbështetje të studentëve.
Pedagogëve u rekomandohet, gjithashtu, të mbajnë kontakte të rregullta me studentët, duke u ofruar materiale didaktike dhe çdo lloj ndihme që ata mund të kenë nevojë. Sindikata njofton gjithashtu se orët e humbura gjatë bojkotit do të rikuperohen më vonë.
Lidhur me këtë vendim, të gjitha autoritetet drejtuese të institucioneve publike të arsimit të lartë do të informohen zyrtarisht, sipas njoftimit të SPUSH.

