Mijëra qytetarë shqiptarë janë mbledhur në Hagë për të shprehur solidaritetin e tyre me ish-udhëheqësit e UÇK-së, në prag të shpalljes së vendimit gjyqësor ndaj tyre, i cili pritet të ketë peshë të madhe për të ardhmen e Kosovës.
Artan Berhami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, paralajmëron se diskutimi rreth faktit që Gjykata Speciale është krijuar me votat e politikanëve të Kosovës, mund të ketë pasoja të rënda për vendin.
Në një prononcim nga Haga për gazetaren e ABC News, Habi Hoxha, Berhami theksoi se Hashim Thaçin nuk mund ta largojë askush nga populli i tij.
“Debati se vetë e keni ndërtuar, mund të jetë shkatërrues për Kosovën. Pasojat diplomatike mund të jenë të mëdha, në rast të një vendimi negativ. Rusia dhe Serbia, janë përpjekur me raportin e Dick Marty, bashkësia ndërkombëtare duhet të heqë dorë nga kjo mënyrë. Hashim Thaçin, askush nuk mund ta shkëpusë nga populli i vet. Nuk rishkruhet historia, por dëmet që mund t’i bëjnë Kosovës në arenën ndërkombëtare, janë shumë të mëdha. Gjykata Speciale deri sot, ka qenë makinë, që të fitonte prokuroria. Kjo do ishte e pafalshme dhe përmbysja më e madhe e vlerave perëndimore”, theksoi ai.

