Shpërthen Patushi: “Vllaznia nuk mbahet me ‘miell hua’, klubi duhet të rikthejë identitetin”

Publikuar me datë:

Nga Maringlen ZHIVANI

Ish-futbollisti dhe analisti Saimir Patushi ka komentuar për “Shkodra Sport” situatën aktuale te Vllaznia pas eliminimit nga Europa dhe ka ngritur shqetësime për mënyrën e menaxhimit të klubit shkodran. Në një intervistë me gazetarin Maringlen Zhivani, Patushi kërkoi më shumë seriozitet nga drejtuesit dhe theksoi se problemet e Vllaznisë nuk lidhen vetëm me lojtarët, por me mungesën e një strukture të mirëfilltë.

Vllaznia u eliminua nga Europa dhe paraqitja la shumë pikëpyetje. Si e lexoni këtë moment të klubit shkodran?

– Është për të ardhur keq që Vllaznia shpërdoroi një mundësi të artë për të rikuperuar edhe anën financiare, pasi klubi ka vuajtur shumë në këtë aspekt. Presidenti duhet ta ketë të qartë një gjë: Vllaznia nuk mund të mbahet më me “miell hua”. Duhet një projekt i qartë dhe i qëndrueshëm.

A mendoni se problemi është vetëm mungesa e përforcimeve apo ka probleme më të thella?

– Unë mendoj se Vllaznia e ka shpopulluar vetë ekipin. Kur nuk ke një bazë financiare të shëndoshë, atëherë problemi kryesor janë paratë, jo lojtarët. Kjo skuadër ishte shumë e mirë dhe me 4-5 afrime cilësore mund të ishte shumë konkurruese.

Në këtë pjesë të merkatos, a duhet të ketë ndryshime të tjera?

– Më vjen keq që largohen 10 lojtarë dhe vijnë 12 të tjerë. Nuk besoj se kjo skuadër do të gjejë shpejt ekuilibrin, sepse futbollistët kanë nevojë për kohë që të krijojnë harmoninë mes tyre.

Sa ndikoi mungesa e alternativave në disa pozicione në ndeshjen me Malishevën?

– Është një problem shumë i madh. Kur shikon nga stoli dhe ke vetëm djem të rinj, nuk mund t’u kërkosh atyre të mbajnë gjithë përgjegjësinë. Menaxhimi e ka kthyer skuadrën në një situatë ku çdo repart ka probleme.

Trajneri Edi Martini ka marrë kritika. A është ai përgjegjësi i situatës?

– Është normale që trajneri të kritikohet, sepse ai drejton ekipin. Por duhet parë realiteti: ai po punon me një skuadër që nuk është ajo Vllazni që të gjithë njohim. Nuk ka skuadër pa investim. Presidenti dhe trajneri duhet të ulen dhe të vendosin qartë si do të vazhdojë kjo Vllazni, sepse nuk mund të dëmtohet më shumë emri i klubit pas një eliminimi si ai me Malishevën.

A duhet të ndërhyjnë shpejt drejtuesit?

– Unë kam qenë dhe jam kundër një eksodi masiv në ekip. Besoj se kjo sjell vetëm regres dhe jo progres.

Vllaznia ka një tifozëri shumë kërkuese. A janë pritshmëritë më të mëdha se mundësitë e klubit?

– Më vjen keq për atë tifozëri që vuan dhe meriton shumë respekt. Ata meritojnë një president si Baca Myftar, jo vetëm fjalë. Tifozët shkodranë duan një Vllazni që lufton për trofe.

Nëse do të ishit drejtues i klubit sot, ku do të ndërhynit?

– Ka shumë probleme. Ekipi nuk është një makineri që funksionon, por një skuadër e copëzuar në çdo repart. Duhet një ndërhyrje e madhe për të rikthyer ekuilibrin.

Cili repart ju duket më problematik?

– Nuk është çështje reparti. Nëse nuk ke një grup të plotë, nga portieri deri te sulmuesi, nuk mund të ndërtosh një skuadër. E pamë edhe me Francën, që nga një ekip i madh mund të kthehesh në një skuadër pa identitet kur mungon grupi.

Çfarë i mungon sot Vllaznisë për të qenë një skuadër dominuese?

– I mungojnë shumë gjëra dhe duhet të rikthejë organizimin dhe seriozitetin. Vllaznia ka potencial, por duhet menaxhuar ndryshe.

A është eliminimi nga Malisheva një sinjal alarmi?

– Për ata që e duan Vllazninë është një dhimbje e madhe, jo thjesht alarm. Mjafton të shikosh 90 minutat kundër Malishevës dhe kupton se çfarë ka kaluar ai qytet që jeton me këtë skuadër.

Sa rol duhet të ketë Akademia?

– Nëse do të isha në rolin e presidentit, do ta shikoja më shumë akademinë. Pas disa vitesh zhgënjimesh për titullin, duhet investuar te djemtë e rinj. Vllaznia ka qenë gjithmonë një fabrikë talentesh për Shqipërinë, por duhet të prodhojë më shumë për vete.

Mesazhi për tifozët kuqeblu?

– Më dhemb zemra kur shikoj atë qytet dhe ata njerëz që vuajnë. Shkodra meriton një Vllazni kampione. Uroj që të dalë dikush që ta rikthejë klubin aty ku i takon. Respekt për ato ngjyra dhe të gjithë ata që janë aty në mbështetje të këtyre ngjyrave

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Vllaznia kërkon kthesën në Laç, Gurishta: Kundërshtar që meriton respekt

Vllaznia kërkon të reagojë në kampionat dhe të rikthehet...

Momente paniku në Tiranë! Makina përplaset me urbanin, autobusi godet edhe një motor të parkuar

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në...

Benet Beci ia dredh Ramës? Vizita të fshehta te baza e Spiropalit, lidhjet me Pëllumb Gjokën dhe dyshimet për aferat financiare

Përpos Salillarit dhe personazheve me precedentë penalë, një nga njerëzit që frekuenton ditët e fundit më shpesh bazën politike të Elisa Spiropalit në ish Bllok është kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i pandehur nga SPAK për abuzime me tendera kur ishte drejtor i KESH-it. Benet Beci ngjit shpesh shkallët disi i maskuar për te baza […]