“Një shkodrane në krye të Kosovës”. Me këtë mesazh, aktori i njohur Çun Lajçi ka uruar Presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, duke sjellë në vëmendje figurën e babait të saj, Simon Shirokës.
Në një dedikim të gjatë, Lajçi kujton marrëdhënien e Simon Shirokës me artistët e rinj të Kosovës dhe një episod të vitit 1972, kur ai mori pjesë në premierën e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”.
Lajçi e përshkruan Simon Shirokën si një figurë të lidhur ngushtë me artin, jo vetëm përmes profesionit të tij si argjendar, por edhe përmes mbështetjes që u jepte artistëve. Ai kujton se Shiroka u dhuronte artistëve unaza, stoli dhe qystekë, duke i konsideruar këto gjeste si një mënyrë për t’u shprehur mirënjohjen dhe dashamirësinë.
Në dedikim, aktori sjell edhe një bisedë me Shirokën për vajzën e tij, duke theksuar se ai e shihte Justinën si një vajzë shqiptare përtej çdo ndarjeje.
“Blerimët janë shqiptarë, si çika jeme!”, kujton Lajçi fjalët e Simon Shirokës.
Në fund, Çun Lajçi i përcjell urimet e tij Justinës për detyrën e re, duke e lidhur këtë moment me kujtimin e të atit dhe origjinën e familjes së saj nga Shiroka e Shkodrës.
“Urime posti i Presidentes, Justinë, çika shtatselvi e Simon Shirokës!”, shkruan Lajçi, duke e mbyllur dedikimin me një mesazh për Kosovën, artin dhe identitetin shqiptar.

