Shkodra është shndërruar edhe një herë në qendrën e muzikës për fëmijë, me çeljen e edicionit të 64-t të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Në natën e parë të këtij eventi u prezantuan 15 krijime të reja muzikore, të interpretuara live nga këngëtarët e vegjël, në një atmosferë të gjallë, plot ngjyra dhe emocione.
Mbrëmja artistike, e transmetuar në ekranin e RTSH, solli në skenë talente të reja nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke pasuruar edhe këtë vit repertorin e muzikës për fëmijë. Performancat u pritën me duartrokitje nga publiku, ndërsa festivali vijon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike për fëmijët në vend.
Dirigjenti i festivalit, Ermir Zoga, theksoi se përzgjedhja e këngës fituese për përfaqësimin e Shqipërisë në “Junior Eurovision” ka sjellë më shumë vëmendje dhe interes për këtë aktivitet ndër vite.
Në skenë u ngjitën edhe fituesja e edicionit të kaluar, Kroni Pula, si dhe anëtarja e jurisë së fëmijëve, Eden Dani, të cilat ndanë emocionet e tyre dhe përvojën në këtë festival.
Festivali do të vijojë me natën e dytë, ku do të prezantohen edhe 16 këngë të tjera të reja, në garën për çmimet e këtij edicioni dhe për mundësinë e përfaqësimit në “Junior Eurovision Song Contest”.

