Kinema “Republika” në Shkodër ka mirëpritur ndalesën e parë të turit të kinematografisë shqiptare, një nismë që synon t’i afrojë filmat vendas me publikun në qytete të ndryshme të vendit.
Filmi “Luna Park”, me regji të Florenc Papas, u shfaq para spektatorëve shkodranë, duke sjellë në ekran një histori të lidhur me vitin 1997 dhe pasojat që kriza e firmave piramidale la në jetën e familjeve shqiptare.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, bëri të ditur se turi nis nga Shkodra dhe do të vijojë në qytete të tjera, nga veriu në jug të Shqipërisë. Nisma synon të promovojë krijimtarinë filmike vendase dhe t’u japë më shumë mundësi qytetarëve për t’u njohur me prodhimet e reja të kinematografisë shqiptare.
Me protagonistë Adriana Matoshin dhe Nik Xhelilajn, “Luna Park” përfaqësoi kandidaturën zyrtare të Shqipërisë për çmimet Oscar 2026, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.
Përveç shfaqjes në ekranin e kinemasë, aktiviteti në Shkodër u shoqërua edhe me një bashkëbisedim të hapur me publikun. Turi do të vazhdojë në qytete të tjera të vendit, me synimin që filmat shqiptarë të kenë një prani më të gjerë dhe të krijojnë më shumë lidhje me spektatorët.

