Pas shpërthimit me tritol në banesën e Ylli Zallës në Fushë-Krujë, i shumëkërkuari nga drejtësia është shfaqur publikisht, këtë herë para shtëpisë së dëmtuar.
Pavarësisht se ndodhet në kërkim nga policia, Zalla ka përsëritur akuzat e tij ndaj uniformave blu dhe grupeve kriminale, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarjet për të cilat është shpallur në kërkim.
Në një video të publikuar, Zalla deklaron se nuk ka ndërmend të largohet nga Shqipëria dhe mohon se kërkon azil politik, ndërsa pretendon se ndaj tij është ngritur një skenar për ta lidhur me atentatin e Rinasit.
“Unë Ylli Zalla në nëntor 2025 vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim.
Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22 më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vra vdek e në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë.
Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, shprehet ai.
Zalla është shpallur në kërkim nga autoritetet, pasi dyshohet se ka pasur rol në atentatin e Rinasit. Në kuadër të hetimeve, atij iu zbulua një arsenal armësh më 20 shkurt.
Ndërkohë, rrethanat e shpërthimit në banesën e tij vijojnë të jenë nën hetim, ndërsa një nga pistat e ngritura nga policia është edhe mundësia që lënda plasëse të jetë vendosur nga vetë Zalla, me qëllim krijimin e pretendimit se i rrezikohet jeta.

