Kujdesi shëndetësor nuk kufizohet vetëm te ambientet e qendrave shëndetësore. Në Shkodër, ekipet e qendrave në varësi të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor vijojnë vizitat në banesat e pacientëve që kanë vështirësi në lëvizje ose kanë nevojë për ndjekje të vazhdueshme shëndetësore.
Gjatë vizitave, stafet mjekësore dhe infermierore vlerësojnë gjendjen e pacientëve, kontrollojnë parametrat jetësorë dhe kryejnë shërbimet e nevojshme infermierore, sipas situatës së secilit pacient.
Vëmendje e veçantë u kushtohet personave të imobilizuar dhe pacientëve me sëmundje kronike, për të cilët ndjekja periodike është veçanërisht e rëndësishme.
Pjesë e këtij shërbimi është edhe këshillimi i pacientëve dhe familjarëve, duke i orientuar mbi kujdesin që duhet të tregojnë dhe mënyrën e menaxhimit të situatës shëndetësore në kushtet e banesës.
Qëllimi është që shërbimi shëndetësor të jetë sa më pranë qytetarëve, sidomos atyre që për arsye shëndetësore nuk mund të paraqiten lehtësisht në qendrën shëndetësore.
Kujdesi shëndetësor shkon edhe në shtëpi, aty ku pacienti ka më shumë nevojë.

