Gjykatat e posaçme, si ajo e shkalles së parë, edhe ajo e Apelit, nuk e patën aspak problem që të mbanin në burg kryebashkiakun e fuqishëm të Tiranes, Erion Veliaj.
Të krijuara me mbështetjen e madhe të partnerëve ndërkombëtarë për të shqyrtuar raste si i Veliajt, mbi të cilin rëndojnë 13 akuza për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash, ato janë treguar të bindura se kreu i kryeqytetit duhet të hetohet e të gjykohet nën masën “arrest me burg”.
Por, kur çështja e lirimit të tij shqyrtohet nga gjykatat më të larta, në të cilat ndikimi i partnerëve ndërkombëtarë është thuajse minimal dhe ai politik thuajse maksimal, çështja “Veliaj” kthehet në një rebus politiko-juridik.
Gjykata e Lartë shqyrton këtë të Enjte (28 maj 2026) kërkesën e Erion Veliaj për zbutjen e masës së sigurisë.
Shanset për lirimin e tij nga paraburgimi llogariten 50-50 përqind.
Në aspektin ligjor, Erion Veliaj duket se nuk ka asnjë shans të lirohet. Me pushtetin e tij politik dhe administrativ, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka mundësi të mëdha teorike dhe praktike për të ndërhyrë tek dëshmitarët dhe për të prishur apo tjetërsuar prova.
Ai përfaqëson edhe një pol të fuqishëm ekonomik, të aftë për të zhvilluar fushata të gjera mediatike në favor të tij dhe të paguajë zyra të rëndësishme ligjore ndërkombëtare të lobojnë në favor të tij.
“Sjellja” dhe “personaliteti”, dy kritere të tjera që vlerëson gjykata në caktimin e masave të arrestit, janë gjithashtu dy pika të dobëta të Erion Veliajt.
Nga paraburgimi i Durrësit, ku gjendet prej 10 Shkurtit 2025, ai ka dirigjuar një fushatë të tërë linçimi e denigrimi ndaj njerëzve të drejtësisë, sidomos ndaj njërit prej prokurorëve të çështjes, Ols Dado.
Pra, Erion Veliaj është rasti perfekt se si një zyrtar i rëndësishëm duhet të qëndrojë në paraburgim, për të siguruar mbaravajtjen e procesit gjyqësor ndaj tij.
Kjo është në aspektin procedurial-ligjor. Por, çështja “Veliaj” ka një dimension të fuqishëm politik, i cili mund ta vendosë peshoren e drejtësisë në anën e tij.
Prej gati 10 vitesh në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fuqizoi pushtetin e tij politik, jo vetëm brenda Partisë Socialiste, por edhe në sistemin e drejtësisë. Tashmë, njerëzit e lobuar prej tij për të qenë në poste të larta të gjyqësorit, kanë mundësinë që t’i rikthejnë “nderin”.
Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë, është një ndër personazhet që njihet për afërsinë e tij me Veliajn.
Sadushi nuk e fshehu aspak “lobimin” e tij për të liruar Veliajn. Rreth dy muaj më parë, ai mori iniciativën për të ndryshuar një Vendim Unifikues të Gjykatës së Lartë të vitit 2011, një veprim, i cili për shumëkënd, u lexua si tentativë e tij për të krijuar kushtet për lirimin e kryebashkiakut të Tiranës.
Roli “vasal” i Sadushit u bë akoma më i qartë, kur, historiku i Gjykatës së Lartë tregon që asnjë gjyqtar administrativ, siç është ai, të vendosë në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për një rast në fushën penale.
Megjithatë, lobimi i Sadushit brenda radhëve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, arriti një lloj rezultati mesatar në favor të nismës së tij. Kolegjet e Bashkuara ndryshuan pjesërisht vendimin e vitit 2011, dhe tashmë kërkohet që gjykatat më të ulta të zbatojnë rregulla më strikte kur të aplikojnë masat e “arrestit me burg”.
Gjithësesi, ky vendim i lobuar nga Sadushi, me shumë mundësi, nuk do t’i hyjë në punë Erin Veliajkt, këtë të Enjte. Ndryshimet e Vendimit Unifikues, të miratuara në 4 maj 2026, nuk kanë hyrë ende në fuqi, pasi nuk janë zbardhur argumentat e plotë të gjyqtarëve.
Kjo mangësi proceduriale, pra mungesa e zbardhjes së vendimit në kohën që i duhej Veliajt, u tentua të mbulohej nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo e fundit, në 20 Maj 2026, mori në shqyrtim një kërkesë të Erion Veliaj për zbutjen e masës së sigurisë, të cilën e konsideronte si jo-proporciale.
Padia e Veliajt në Kushtetuese ishte regjistruar në shkurt të këtij viti dhe, në dukje, nuk kishte lidhje integrale me lëvizjet në Gjykatën e Lartë. Por, kur bëhet fjalë për Veliajn, gjërat nuk janë edhe aq të thjeshta.
Si rregull, Gjykata Kushtetuese, për çështjet në dhomë këshillimi, siç ishte rasti i Veliajt, del me vendim në të njëjtën ditë që e shqyrton padinë.
Por, kësaj radhe, gjyqtarët kushtetues i dhanë vetes 5 ditë kohë për të dalë në përfundimin, në 25 maj 2026, se çështja Veliaj duhet të rikthehet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Lartë duhet ta rimarrë çështjen, pasi rezulton se “nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuara kërkesave të parashtruara në rekurs nga Veliaj”.
Kjo është ana e dukshme. Por, ana e padukshme është akoma më e ndërlikuar. Në informacionet e siguruara nga “Boldnews.al”, rezulton se, në momentin e parë, në favor të zbutjes së masës për Veliajn kanë qenë katër gjyqtarë kushtetues. Me një Gjykatë me 8 anëtarë, këto vota ishin të pamjaftueshme dhe kërkesa e tij rrëzohej.
Balancat brenda Kushtetueses ishin në dorë të gjyqtarit Ilir Toska, i njëjti që kërkoi shtyrjen e shpalljes së vendimit me 5 ditë.
Ky afat, me shumë mundësi, i është nevojitur për të fashitur dilemat e tij. Gjyqtari Ilir Toska njihet për lidhjet e tij të ngushta miqësore me Sokol Sadushin e Gjykatës së Lartë. Nën këtë optikë, ai mund t’i bashkohej lehtësisht katër anëtarëve të tjerë të Kushtetueses, duke krijuar kështu shumicën në favor të lirimit të Veliajt.
Por, Ilir Toska, nga ana tjetër, ka një qasje tërësisht në favor të Prokurorisë së Posaçme. Për frikë apo për arsye të tjera, Toska ka votuar gjithnjë pro SPAK-ut, në çështjet që janë paraqitur në Kushtetuese me palë prokurorët specialë.
Mesa duket, nën dilemën pro-Sadushit (Veliaj) apo pro-SPAK-ut, gjyqtari Ilir Toska gjeti një rrugë të mesme. Ai nuk mbajti qëndrim pro kërkesës së Veliajt, por edhe as kundër tij. Gjyqtari Toska sugjeroi që çështja e kryebashkiakut të Tiranës të rikthehej në Gjykatën e Lartë, me argumentin se nuk e kishin argumentuar si duhet vendimin për Erion Veliajn, kur e lanë në burg, në Korrik 2025.
Qëndrimi i Toskës tërhoqi me vete edhe katër gjyqtarët e tjerë, që ishin në favor të zbutjes së masës së Veliajt. Sjellja e tyre ishte tërësisht pragmatiste dhe nuk ka lidhje me ndonjë “super-fuqi” të kolegut të tyre, Ilir Toska.
Katërshja e kuptoi se Ilir Toska nuk do t’u bashkohej. Nëse secila palë do të mbante qëndrimet e saj, atëherë vendimi do të ndahej 4-4 dhe kërkesa e Veliajt rrëzohej përfundimisht.
Për këtë arsye, ata u bashkuan me propozimin e Toskës që çështja të rikthehej në Gjykatën e Lartë, duke mbajtur hapur një derë për lirimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Roli i gjyqtarit Toska ngre edhe të paktën dy dilema të tjera-në rastin më të mirë, ai ka sugjeruar dhe arriti të sigurojë shumicën, për ta rikthyer çështjen në Gjykatën e Lartë, ku, nëse Veliaj siguron lirinë, kjo meritë t’i njihet mikut dhe mentorit të tij, Sokol Sadushi.
Por, nga ana tjetër, Ilir Toska njihet në radhët e gjyqësorit si një “ithtar” i kryeministrit Edi Rama. Megjithëse nuk shfaqet hapur, Rama, më së paku, nuk është i huaj me zhvillimet për çështjen “Veliaj”. Ka nga ata që besojnë se tërheqja e Ilir Toskës nga grupi i gjyqtarëve pro-lirimit të Erion Veliajt, mund të jetë edhe ndonjë sugjerim nga selia qendrore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
E, nëse pranohet ky variant, pra që Rama nuk është pro-lirimit të Veliajt, e gjithë tentativa lobuese e Sadushit e të tjerëve, kthehet “pluhur në erë”.
Rikthimi në Gjykatën e Lartë
Në 8 Korrik 2025, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj, rrëzoi kërkesën e Erion Veliaj për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në shkurt 2025 dhe e miratuar edhe nga Apeli i Posaçëm, në 13 mars të vitit të kaluar.
Erion Veliaj nuk hoqi dorë nga tentativat e tij për lirimin nga qelia, duke nisur sërish xhiron e kërkesave pranë gjykatave të posaçme. Pasi u rrëzua sërish, Veliaj iu drejtua Gjykatës së Lartë në Shkurt 2026. Kësaj radhe, ai përdori si argument në favor të tij edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra “për shkak të mungesës mbi 3 muaj në detyrë”.
Kërkesa e re e Veliajt u caktua për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Lartë në datë 28 maj. Trupa gjykuese është e përbërë nga dy prej gjyqtarëve që më herët vendosën që ai të qëndrojë në qeli, Albana Boksi dhe Sokol Binaj. Ndërkohë në Kolegjin Penal ka pasur një ndryshim, ku gjyqtari i mëparshëm, Medi Bici, tashmë është zëvendësuar nga kolegu i tij, Gent Shala.
Për këtë të fundit ka pasur deklarime publike se u emërua në Gjykatën e Lartë, pasi dënoi denoncuesit e Agron Geron Xhafaj, vëllait të deputetit socialist, Fatmir Xhafaj, një tjetër “aleat” i rëndësishëm politik i Erion Veliajt.

