Vllaznia ka bërë një hap fals në një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit, duke u mposhtur me rezultatin 0-2 nga Dinamo në përballjen e parë të fazës “Final Four”. Një paraqitje nën pritshmëri e kuqebluve, që shfaqën mungesë qartësie në lojë dhe aspak rrezikshmëri. Shkodranët e nisën ndeshjen në sulm, por ritmi i tyre ra ndjeshëm më pas. Nga ana tjetër, Dinamo administroi mirë ndeshjen, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke pritur momentin për të goditur në kundërsulm. Pika e kthesës erdhi në minutën e 69-të, kur Bajrami u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Vllazninë me dhjetë lojtarë. Me epërsinë numerike, Dinamo shfrytëzoi hapësirat dhe kaloi në avantazh në minutën e 77-të me golin e Ayodeji. Përpjekjet e Vllaznisë në minutat e fundit ishin të çorganizuara dhe pa konkretizim, ndërsa në shtesë, me portierin Pohls i dalë në sulm, Dinamo vulosi fitoren 2-0 me James në kundërsulm. Pas kësaj humbje, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini tha se është shumë i zhgënjyer.
Nga ana tjetër, zv/trajneri i Dinamos, Glen Daja, deklaroi se është i kënaqur me skuadrën e tij.
Kjo humbje komplikon ndjeshëm objektivin për titull për Vllazninë. Me dy ndeshje të mbetura, gara mbetet e hapur dhe çdo gabim në këtë fazë mund të rezultojë fatal për ambiciet e kuqebluve.

