Një video që po qarkullon online ka sjellë në vëmendje një moment të regjistruar gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku po votohej për ndryshimet në buxhet.
Në pamjet që disponohen dëgjohet një zë, i cili sipas personit që ka dërguar videon i përket sekretares së Këshillit Bashkiak Vlorë, Leonela Dautaj, duke iu drejtuar këshilltares Liljana Breshani me fjalët:
“Të lutem, kaloje (voto pro), bëje për mua të lutem.”
Sipas informacionit që shoqëron videon, votimi kishte të bënte me ndryshimet në buxhetin e Bashkisë Vlorë.
Pavarësisht votimit, propozimi nuk arriti të miratohej. Sipas burimeve, për miratimin e ndryshimeve në buxhet nevojiteshin 26 vota, ndërsa u siguruan vetëm 25, duke bërë që projektvendimi të mos kalonte.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim publik nga Bashkia Vlorë, sekretarja e Këshillit Bashkiak Leonela Dautaj apo këshilltarja Liljana Breshani lidhur me episodin e regjistruar në video.

