Tregu i punës dhe kërkesa e bizneseve po ndikojnë në zgjedhjet e të rinjve për shkollimin profesional
Rreth 300 nxënës janë regjistruar këtë vit në klasat e dhjeta në tre shkollat profesionale që funksionojnë në Shkodër.
Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, interesi i të rinjve për arsimin profesional vijon të jetë i qëndrueshëm, ndërsa një nga faktorët që ndikon në zgjedhjen e profileve është edhe kërkesa e tregut të punës.
Në shkollat profesionale të qytetit ofrohen një sërë drejtimesh dhe profilesh, ndërsa këtë vit ndër më të preferuarat janë ato që lidhen me hotelerinë dhe turizmin.
Kjo prirje lidhet edhe me zhvillimin e sektorit të turizmit në Shkodër dhe nevojën e vazhdueshme të bizneseve për punonjës të kualifikuar në këtë fushë.
Arsimi profesional po shihet nga gjithnjë e më shumë të rinj si një rrugë drejt tregut të punës, pasi krahas njohurive teorike, ofron edhe përgatitje praktike dhe aftësi profesionale që mund të shërbejnë për punësim pas përfundimit të shkollimit.

