“Risia e madhe”në 2026, konviktet më në fund me tualete në dhomë

Publikuar me datë:

Risia e fundit: Koviktet kanë tualete brenda në dhomë. Ky ishte lajmi i madh që u dha nga zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, drejtuesi politik Bledi Çuçi dhe kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, duke bërë promovimin ceremonial të rikonstruksionit të konviktit të shkollës profesionale “Pavarësia” në Vlorë.

Po, po, në vitin 2026, rikonstruksioni i një konvikti me kushtet më minimale që mund të ketë një ndërtesë e tillë, është sukses, arritje në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare, në shkollën “Pavarësia” dhe atë tregtare në Vlorë janë rreth 800 studentë të regjistruar për vitin akademik 2025–2026, ndërsa konviktin e përdorin rreth 100 prej tyre.

“Ne po punojmë për arsimin profesional… duke u dhënë të rinjve mundësi punësimi dhe zhvillimi ekonomik,” deklaroi Koçiu gjatë inspektimit.

Nga ana e tij, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, tha se ndërhyrje të ngjashme janë bërë edhe në disa qytete të tjera, përfshirë Kukësin, Dibrën, Elbasanin, Shkodrën dhe Lushnjën.

Ndërsa drejtuesi politik Bledi Çuçi dhe kryetarja e Bashkisë Vlorë Brunilda Mersini ishin gjithashtu të pranishëm në inspektim, në një prezantim të kuruar institucional të projektit.

Një inaugurim me tone triumfaliste për një standard minimal

Megjithëse rikonstruksioni i konviktit është një investim i mirëpritur, mënyra e prezantimit të tij tenton “të na hedhi hi syve”.

Në fokus të promovimit zyrtar u vu fakti se konvikti tani ka kushte moderne, përfshirë dushe të kompletuara, lavanderi, kondicionerë dhe ambiente studimi elementë që në fakt përbëjnë standardin bazë të jetesës studentore.

Pika më e theksuar e promovimit ishte se ambientet sanitare tashmë ndodhen brenda godinës, duke u paraqitur si një përmirësim i rëndësishëm në raport me gjendjen e mëparshme.

Kujtesë nga e shkuara: konviktet e vitit 2019

Problematikat e konvikteve nuk janë të reja. Në vitin 2019, pas rikonstruksionit të disa godinave të “Qytetit Studenti”, raportimet nga terreni tregonin një realitet të ndryshëm nga ai i premtuar.

Studentët denonconin kushte të vështira brenda ambienteve: dushe të dëmtuara, dyer të thyera, myk në mure dhe mungesë higjiene.

“Katastrofale, myku i ka mbushur konviktet,” shprehej një student asokohe, ndërsa të tjerë theksonin se ndërhyrjet kishin qenë më shumë sipërfaqësore sesa reale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related