Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po përballon një nga periudhat me fluksin më të lartë të udhëtarëve, me rreth 50 deri në 56 mijë pasagjerë që përpunohen çdo ditë. Për të ndjekur nga afër situatën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim në pikën kufitare të aeroportit.
Gjatë vizitës u vlerësua puna e strukturave të Policisë Kufitare dhe administratës doganore, të cilat po menaxhojnë fluksin e shtuar të sezonit turistik. Sipas Hitës, janë marrë masa shtesë organizative dhe teknike, ndërsa shërbimet e Policisë Kufitare tashmë funksionojnë me turne 12-orëshe, duke rritur me rreth 20% numrin e efektivëve në terren.
Një nga ndryshimet kryesore është ulja nga 16 në 12 vjeç e moshës minimale për përdorimin e sistemit automatik e-Gate. Kjo masë ka rritur numrin e udhëtarëve që kalojnë përmes kontrollit elektronik dhe ka shkurtuar ndjeshëm kohën e pritjes në sportele.
Paralelisht janë modernizuar sistemi TIMS dhe pajisjet e kontrollit kufitar, duke përfshirë kompjuterë, lexues dokumentesh dhe pajisje të tjera teknologjike.
Policia Kufitare mbetet e fokusuar në parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm. Sipas Hitës, kontrollet kryhen mbi bazën e analizës së riskut dhe bashkëpunimi me Doganat ka dhënë rezultate konkrete në evidentimin e rasteve të paligjshme.
Edhe drejtori i Doganave, Besmir Beja, theksoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve vijon pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit veror. Ai nënvizoi se administrata doganore është e angazhuar për të garantuar lëvizje sa më të shpejtë të udhëtarëve, duke ruajtur njëkohësisht standardet e kontrollit për mallrat dhe ngarkesat që hyjnë në territorin shqiptar.

