Agjencia prestigjioze Reuters ka përfshirë Shqipërinë në raportimin për valën e të nxehtit ekstrem që ka kapluar Europën Qendrore dhe Jugore, me fokus të veçantë në situatën e zjarreve në jug të vendit.
Reuters raporton se ndërsa nivelet rekord të temperaturave prekin shtete të ndryshme europiane, në Shqipëri shërbimet e emergjencës po përballen me disa vatra të fuqishme zjarri, me vëmendje të veçantë në përkeqësimin e situatës në Mallakastër.
Sipas agjencisë, flakët kanë detyruar rreth 15 familje të evakuohen së bashku me bagëtitë dhe kafshët shtëpiake të tyre. Ekipet zjarrfikëse, si nga toka ashtu edhe me ndërhyrje ajrore, po punojnë për të ndaluar përhapjen e zjarrit pranë zonave të banuara dhe fshatrave përreth.
Ndërkohë, Reuters vë në dukje edhe një vatër tjetër zjarri aktive pranë Gjirokastrës në jug të vendit. Sipas raportimit, ky zjarr dyshohet se është shkaktuar nga një rrufe në një terren të thepisur malor, gjë që e ka bërë më të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Duke ofruar një pasqyrë të situatës në Europë, agjencia thekson që Austria shënoi temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, 41.2 gradë Celsius, ndërsa Italia, Greqia, Hungaria dhe shtete të tjera europiane po përjetojnë kushte ekstreme të nxehtësisë, thatësirë dhe shumë zjarre.
Reuters nënvizon se Europa është kontinenti me tempon më të shpejtë të ngrohjes në botë dhe vala e fundit e të nxehtit ka sjellë pasoja serioze, duke ndikuar negativisht në furnizimin me energji, transportin lumor dhe sektorin bujqësor në disa shtete.

