14 vatra zjarri në 10 orë, 7 vijojnë të jenë aktive/ Situata më kritike në Mallakastër, ndërhyjnë edhe Forcat e Armatosura

Publikuar me datë:

Gjatë dhjetë orëve të fundit, në vend janë evidentuar katërmbëdhjetë vatra zjarri, nga të cilat shtatë mbeten ende aktive, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Forca të shumta të emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura janë vënë në veprim për të izoluar dhe shuar flakët. Operacionet, të koordinuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me prefekturat dhe njësitë vendore, shihen në terren me 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të FA-së, një helikopter dhe një avion “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Fshatrat Riban dhe Ngraçan në bashkinë Mallakastër paraqiten më të rrezikuarit, pasi aty zjarri është përhapur me intensitet dhe po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të penguar përhapjen e tij pranë zonave të banuara. Në këtë aksion janë përfshirë forca zjarrfikëse nga bashki të ndryshme, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor”.

Edhe në zonën e Dajtit vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit, ku janë angazhuar forcat e MZSH-së, Administrata e Zonave të Mbrojtura, 50 trupat e FA-së dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se banesat nuk janë të rrezikuara.

Ndërhyrja për kontrollin e zjarreve po vazhdon edhe në qarkun Elbasan, konkretisht në Shqiponjë, malin e Dardhës dhe në fshatin Mjekës. Situata në Shqiponjë dhe Mjekës është vënë nën kontroll dhe nuk ka asnjë rrezik për banorët.

Ndërkohë, në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, që përfshin bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri ka kapërcyer majën e malit dhe është përhapur me intensitet në një zonë të mbrojtur. Sipas raportimeve, as këtu nuk ka kërcënim për banesat.

Në Penkovë të Selenicës, flakët janë shuar totalisht pas djegies së rreth 2 hektarëve pyje me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Puna vazhdon në Gumenicë ku është identifikuar një vatër me shkurre, ndërsa situata në Vërzhezhë të Skraparit është në kontroll.

Strukturat përgjegjëse, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po mbajnë nën vëzhgim situatën dhe koordinojnë ndërhyrjet në mbarë vendin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Pse Zuckerberg i kërkoi falje qeverisë indiane?

Shefi ekzekutiv i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, i ka...

Reuters: Vala e të nxehtit godet Europën, zjarret në Mallakastër mes rasteve më shqetësuese

Agjencia prestigjioze Reuters ka përfshirë Shqipërinë në raportimin për...

Ambasadorja e Izraelit në Malësinë e Madhe, diskutime për turizmin dhe investimet

Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, ka...