Kliti Hoti ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është hartuar projektbuxheti i Shëndetësisë për vitin 2027, duke e cilësuar atë të përqendruar te shifrat financiare dhe jo te nevojat reale të pacientëve.
Përmes një reagimi pas diskutimeve në Komisionin e Shëndetësisë, Hoti thekson se sistemi shëndetësor në Shqipëri vijon të përballet me probleme serioze, ndërsa qytetarët detyrohen të përballojnë vetë një pjesë të konsiderueshme të kostove për shërbimet mjekësore.
Duke iu referuar Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, të publikuar më 4 nëntor 2026, ai evidenton se 48.27% e shpenzimeve shëndetësore mbulohen drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarëve, më shumë se tri herë mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Një tjetër problem i ngritur prej tij është financimi i kujdesit shëndetësor parësor. Sipas të dhënave të cituara në reagim, në vitin 2025 shpenzimet për këtë sektor ishin rreth 28% më të ulëta se niveli i planifikuar.
Hoti kritikon gjithashtu mungesën e objektivave konkrete për vitin 2027, duke përmendur radhët e gjata për ekzaminime dhe ndërhyrje kirurgjikale, diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve, kohën e mbërritjes së autoambulancave dhe mungesën e barnave jetike në spitale.
Ai nënvizon se një sistem shëndetësor funksional duhet të mbështetet në tri shtylla kryesore: parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin. Sipas tij, projektbuxheti nuk përcakton objektiva të matshëm për asnjërën prej këtyre hallkave, veçanërisht për kujdesin ndaj pacientëve pas daljes nga spitali.
Kritika ka edhe për fondin prej 14 milionë eurosh të parashikuar për shëndetësinë digjitale. Hoti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të përdoren këto para, duke kujtuar se dosjet elektronike shëndetësore janë financuar që prej vitit 2013 me një kredi prej 14 milionë eurosh nga qeveria austriake, ndërsa receta elektronike dhe referimi elektronik janë prej vitesh në funksion.
Sipas tij, investimet në teknologji duhet të shoqërohen me rezultate konkrete dhe të përfshijnë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale për përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve.
Në përfundim, Hoti argumenton se suksesi i buxhetit të Shëndetësisë nuk duhet të matet vetëm me fondet e akorduara, por me sëmundjet që parandalohen, jetët që shpëtohen dhe barrën financiare që u hiqet familjeve shqiptare.
