olicia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Post”, duke goditur dy raste të dyshuara të ushtrimit të prostitucionit në apartamente të marra me qira dhe të reklamimit të kësaj veprimtarie në rrjetet sociale.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy shtetase të huaja, njëra braziliane dhe tjetra kolumbiane, ndërsa në pranga ka rënë edhe një 46-vjeçare braziliane, e cila dyshohet se është tutorja e tyre.
Sipas Policisë, 46-vjeçarja L. S., 46 vjeçe, dyshohet se shfrytëzonte shtetasen T. S., 21 vjeçe, të dyja nga Brazili, për të ushtruar prostitucion në një apartament të marrë me qira në rrugën “Abdyl Frashëri”.
Gjatë kontrollit në apartament u gjetën dhe u sekuestruan gjashtë celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për reklamimin e aktivitetit në rrjetet sociale.
Në një tjetër rast, policia arrestoi M. V., 23 vjeçe, shtetase kolumbiane. Ajo dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulcebe”, ku ushtronte prostitucion.
Sipas autoriteteve, hetimet janë fokusuar te rastet kur kjo veprimtari zhvillohet në apartamente me qira dhe promovohet përmes platformave online.
Policia bën me dije se kontrollet dhe verifikimet kundër kësaj veprimtarie kriminale do të vijojnë si në terren, ashtu edhe në hapësirën digjitale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

