Shpenzimet e ulëta publike për shëndetësinë në Shqipëri nuk ndikojnë vetëm te cilësia e shërbimit, por edhe te jetëgjatësia e qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ky është përfundimi i një raporti të përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë për llogari të Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili paralajmëron se nënfinancimi i sektorit po sjell pasoja të rënda si në shëndetin e popullsisë, ashtu edhe në ekonomi.
Sipas raportit, mijëra shqiptarë humbin jetën para kohe për shkak të nivelit të ulët të investimeve publike në sistemin shëndetësor. Përveç kostos njerëzore, dokumenti vlerëson se barra e sëmundjeve ul produktivitetin e forcës së punës, frenon inovacionin dhe shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike.
Në vitin e kaluar, shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri ishin mesatarisht 330 euro për banor, një nivel rreth pesë herë më i ulët se në vendet e ngjashme të rajonit dhe dhjetë herë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Raporti rekomandon që qeveria të ndërmarrë një plan gradual për ta çuar financimin publik të shëndetësisë në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, nga 2.9% që është aktualisht.
Autorët e raportit theksojnë se kjo nuk duhet parë si një barrë për buxhetin, por si një investim me kthim të lartë ekonomik, pasi përmirësimi i shëndetit të popullsisë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin ekonomik.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se vendet që shpenzojnë më pak se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shëndetësinë janë ato që përfitojnë më shumë nga rritja e investimeve në këtë sektor.
Megjithatë, raporti evidenton se parashikimet e Programit Buxhetor Afatmesëm tregojnë një ulje të mëtejshme të peshës së shpenzimeve publike për shëndetësinë në raport me ekonominë. Sipas autorëve, kjo qasje rrezikon të thellojë kostot sociale dhe ekonomike, në një kohë kur kërkohet rritje e investimeve në shëndetësi.

