Janë zbuluar informacione të reja nga mbledhja mes kryebashkiakëve dhe kryeministrit Edi Rama, ku fokusi kryesor ishte reforma territoriale dhe ripërshkrimi i hartës së bashkive.
Diskutimet nuk janë ndalur vetëm te rasti i Poliçanit dhe Dimalit. Burime të brendshme bëjnë të ditur se kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bello, dhe ai i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, kanë qenë mes atyre që kanë kundërshtuar me forcë shkrirjen e bashkive që drejtojnë, duke u përplasur me Ramën gjatë takimit.
Në këtë debat është përfshirë edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Sipas informacionit nga burimet, kryebashkiakët kanë shprehur shqetësime për mënyrën si janë përcaktuar kriteret për zgjedhjen e bashkive që përfshihen në riorganizimin territorial.
Në një prej momenteve kulmore të takimit, tensionet u rritën për shkak të reagimit të komuniteteve lokale. Rama, duke iu drejtuar kryebashkiakëve, i ka akuzuar ata “se po nxisin qytetarët të protestojnë kundër reformës territoriale”. Sipas kryeministrit, kundërshtimi i përfaqësuesve vendorë po kalon përtej institucioneve dhe po përfshin edhe komunitetin, duke krijuar rezistencë ndaj planeve të qeverisë.
Ndërkohë, drejtuesit vendorë kanë shfaqur pakënaqësi për mënyrën e përzgjedhjes së bashkive që synohen të shkrihen, duke e konsideruar procesin të padrejtë dhe me standard të dyfishtë.
Gjatë diskutimeve janë përmendur konkretisht bashkitë Peqin, Vau i Dejës dhe Roskovec. Kryebashkiakët e pranishëm kanë argumentuar se këto bashki shfaqin performancë më të ulët, por gjithsesi nuk janë përfshirë në të njëjtën mënyrë në skemën e riorganizimit.
Këto kundërshtime kanë sjellë përplasje të ashpra brenda mbledhjes, me kryebashkiakët që kanë kërkuar kritere të qarta dhe zbatim të njëtrajtshëm për të gjitha bashkitë në procesin e riorganizimit të territorit.
Takimi ka zgjatur më shumë se katër orë dhe ka qenë tërësisht i përkushtuar ndaj reformës territoriale, shtrirjes së re administrative dhe përcaktimit të kritereve për ekzistencën e bashkive si njësi të pavarura të pushtetit vendor.
Diskutimet e zhvilluara tregojnë se reforma territoriale do të mbetet një prej temave më të nxehta në raportet mes qeverisë dhe drejtuesve lokalë, veçanërisht në bashkitë që ndodhen në rrezik nga ndryshimet e paralajmëruara në hartën administrative.

